(Rreth librit poetik “Askush nuk asht ishull”, të John Donne, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2025)
Shkruan: Agnesë Shkodra
John Donne është një nga poetët më të njohur të epokës elizabetiane dhe një figurë kryesore e letërsisë së shekullit të XVII. Si një nga krijuesit e metafizikës në poezi, ai sfidoi normat e kohës me temat e tij të thella dhe stilin unik. Poezitë e Donne, të cilat eksplorojnë marrëdhëniet njerëzore dhe spiritualitetin, karakterizohen nga përdorimi i metaforave të guximshme dhe nga një ngarkesë e fuqishme emocionale. Vepra e tij ka pasur ndikim të madh në shumë shkrimtarë të njohur, përfshirë T.S. Eliot, W.H. Auden, George Herbert, Robert Frost, dhe madje edhe Ernest Heminguej. Krijimtaria e John Donne është mjaft e pasur, ndërsa për herë të parë, në gjuhën shqipe vjen e përmbledhur në disa poezi të përkthyera nga shkrimtari Ag Apolloni, botuar nga Bard Books.
“Askush nuk asht ishull” është një përmbledhje poetike ku John Donne trajton temën e dashurisë, besimit, vdekjes dhe lidhjes mes shpirtit dhe trupit, me një qasje filozofike që sfidon konventat e kohës. Vargjet e tij ofrojnë një reflektim të thellë mbi natyrën e jetës dhe vdekjes, dhe të asaj që vjen më pas. Në poezinë “Sonet i shejtë: Ti m’ke ba”, poeti pasqyron betejën e një shpirti që endet midis dy botëve, tokësores dhe qiellores:
Ti m’ke bâ, a thue do t’prishet vepra jote?
M’ndreq tash, fundi im po vjen n’flatra;
Po ngarend drejt vdekjes, dhe ajo m’del para,
Se knaqësitë e mia s’janë ma të kësaj bote.
Me këto vargje ai sugjeron praninë e një dimensioni tjetër, atij të përjetësisë, të cilin mund ta arrijmë vetëm përmes vdekjes, duke tejkaluar jetën e përkohshme.
Një nga temat qëndrore në poezinë e John Donne është edhe dashuria, e cila nuk paraqitet në mënyrë të idealizuar apo romantike, por shfaqet herë si një përvojë komplekse, e herë të tjera si një forcë shpirtërore, që arrin t’i tejkalojë edhe kufijtë materialë dhe fizikë.
Në “Askush nuk asht ishull”, poeti eksploron natyrën e marrëdhënieve njerëzore, duke theksuar se dashuria përfshin të gjitha nuancat e përvojës njerëzore, dhe atë të pasionit dhe dhimbjes, që sipas tij janë të pandashme:
Kthemi sytë e humbun prej kohësh, sytë e mi
Që, ah, tepër gjatë u ndalën mbi ty,
Por, meqë aty e mësuen të ligën e çdo t’zezë,
Sjellje besëpreme
Dhe pasione të rreme,
Aq shumë sa
Prej teje janë ba
S’shohin asgja t’mirë ma, mbaji peshqesh!
Gjithashtu, poezia e John Donne, me një gjuhë ironike sfidon edhe stereotipet tradicionale lidhur me seksualitetin, duke vendosur ndjenjën mbi norma të tilla shoqërore të ashpra. Stili i tij unik dhe gjuha e pasur bëjnë që ky poet metafizik të arrijë të ndërthurë brenda vargjeve të tij mendimin filozofik me ndjeshmërinë emocionale dhe metafizikën me përvojën shpirtërore.
/Gazeta Express
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...