“Adolescence” u kthye në fenomen kinematografik shumë pak pas lansimit. Seriali i cili po qarkullon, duke u ndeshur në shumicën e rasteve me kritika pozitive, u bë fenomen në boten e teknologjisë, një prodhim që ka për bosht teknologjinë dhe rëndësinë e rrjeteve sociale
Cili është edukimi i duhur prindëror dhe a ekziston një i tillë?
Seriali i ndarë në katër episode, zapton katër këndvështrime dhe katër dukuri që sado që mund të trajtohen veçmas, pashkëputshëm janë të lidhura mes vete dhe e plotësojnë njëra-tjetrën. Dy të parat vënë në pah drejtësinë dhe krimin, do të thotë dy episodet e para trajtojnë aspektin ligjor, ndërsa në dy episodet tjera trajtohen gjendja emocionale dhe psikike e personazheve.
Skena hapëse e serialit përkon me skenat kinematografike që nisin me ngjarje të rënda e që trajtojnë tematiken e drejtësisë, gjyqin, fajtorin e viktimën. Kësaj radhe ne e shohim një skenë që na e sjell një djalë të vogël duke zvarritur nga shtëpia për në stacionin policor, një djalosh i cili urinon pantallonat derisa policia bastis shtëpinë e prindërve të tij dhe si pasojë akuzojnë së ka kryer një krim të rëndë, vrasjen e njërës prej shoqeve të shkollës.
Narrativa e serialit thjesht nuk ka nevojë të shpjegohet kronologjikisht dhe kjo si shkak i asaj se shumica që lexojnë mbi serialin veçse e kanë parë tashmë.
Padyshim që një e veçantë e madhe e këtij prodhimi kinematografik mbetet filli dhe zhvillimi i idesë bazë mbi të cilin është ndërtuar. Po, kemi parë plot seriale e filma që trajtojnë dhunën, vrasjen, gjendjen psikike të adoleshentëve, ama tek ‘Adolescence’ kyçe mbetet tema e edukimit.
Kur po flasim për edukimin nuk kapemi tek termi i zakonshëm i edukimit në shkollë (së paku nuk flasim veç për këtë lloj edukimi) por edhe tek ideja se cili është edukimi i duhur prindëror dhe a ekziston një i tillë.
Ne episodin e fundit babai (Stephen Graham) rrëfen për mënyrën se si ai është rritur, dhunën fizike të babait të tij, të cilën ky nuk e përçon tek fëmijët e vet, ama prapëseprapë djali i tij adoleshent kryen një vrasje, djali i tij 13 vjeç godet 7 herë me thikë një vajzë të mitur.
A mund të jemi gjithmonë të pagabueshëm, të pathyeshëm, pa nevojë për ndihmë?
Kur kthehemi në këndin tjetër dhe ngjitemi tek ideja e edukimit dhe kujdesit të prindërve ndaj të dy fëmijëve (edhe vajzës së tyre e cila duket e ‘miredukuar’) duket sikur na ikë një detaj tjetër, pse vetëm djali u shndërrua ne një vrasës brenda natës?
Episodi i tretë, konfrontimi i djalit (Owen Cooper) me psikologen na shpjegon qartë dhe mes rreshtash ngjarjën në fille deri tek tragjedia.
Një 13 vjeçar i cili duket i butë në pamje, i pafajshëm dhe i çiltër, personifikohet në sjelljen, idetë, madje edhe në trupin e babait të vet. Djali ka idhull babanë e vet, një prind i cili nuk shoqërohet me gra, ka ndërtuar një fizik të hatashëm në palestër, bën një punë “tipike” mashkullore dhe nuk e pranon disfatën si akt. Në këtë rast babai personifikon fuqinë, mashkulloren, burrëroren dhe mungesën e empatisë, e cila sado që ndihet me raste shukatet menjëherë nga tre të parat.
Dhe nga fillimi në fund ne shohim një grua (Christine Tremarco), e cila lehtësisht e pa zhurmë i bindet bashkëshortit të saj i cili me kohën është shndërruar në busullën e vetme në familje. Çdo vendim i tij shihet si një zgjidhje të cilën e përqafojnë lehtë edhe vajza edhe gruaja pa e diskutuar, një bindje ndaj një fuqie që mëton se po e bën më të mirën dhe si e tillë kjo e mirë nuk duhet diskutuar.
Megjithatë a mund të jemi gjithmonë të pagabueshëm, të pathyeshëm, pa nevojë për ndihmë?
Njëjtë nga fillimi në fund e shohim një familje që përqëndrohet tek faji i tyre, tek ‘mirëqenia’ e anëtarëve të familjes, ama mungon një detaj; empatia ndaj tjetrit, empatia që fillon përtej dyerve të shtëpisë, në shkollë, në shoqëri, tek fqinjët.
Në katër episodet nuk flitet për viktimën nga ana e familjareve të vrasësit, ideja është që dënimi dhe akti i vrasjes të mos ekzistojë, por ideja që një vajzë e mitur ka vdekur nuk është prezent tek familja e djalit. Këtë skenë e shohim shkarazi kur babai dërgon lule tek varri i vajzës dhe me kaq mbyllet.
I pjekur nga ekspozimi ekstrem ndaj rrjeteve sociale dhe teknologjia?
Nëse kapet në tërësi ngjarja ‘Adolescence’ nuk ka brum ngjarjet e rëndomta e pa fuqi emocionale, edhe mund të jetë tematike e dëgjuar edhe mund të mos jetë shpikja e shekullit, ama që është domosdoshmëri kinematografike as që diskutohet. Nëse na vjen ideja e një hiperbolizimi të skenës së djaloshit që konfrontohet me psikologen, atëherë i bëjmë një pyetje të thjeshtë vetes (para se ta bëjmë paragjykimin e parë që na kujtohet së një 13-vjeçar nuk mund e nuk e kemi parë të sillet në atë mënyrë për shkak të moshës), a i njohim ne mjaftueshëm 13-vjeçarët e ditëve të sotme?
Me trendin e teknologjisë një 13-vjeçar i pas 10 viteve potencialisht do të jetë një i pjekur i ditëve të sotme dhe jo për shkak të arsimit e edukimit të mirëfillt, por për shkak të ekspozimit ekstrem ndaj rrjeteve sociale dhe teknologjisë në përgjithësi. Një 13-vjeçar i cili e kupton hera-herës kurthin e psikologes për ta nxitur ta thotë të vërtetën nuk është krejt absurd për shkak të kohës në të cilën jetojmë dhe informatave të cilat i konsumojmë çdo ditë, informatat të cilët adoleshentet i konsumojnë çdo ditë.
Manifestuar jashtë, ngjizur brenda
Komplet ngjarja, komplet realizimi thellë-thellë na shtyn ta kemi një dozë empatie tek djaloshi i cili ne vendimin final të psikologes (për t’u trajtuar) kërkon qe t’i thuhet babait te vet së është mirë. Frika për dështim është një tjetër barrë që rëndon mbi trupin e secilit nga ne. Shumë nga ne nuk ka frikën e dështimit personal aq sa vuan nga frika për zhgënjimin e prindit. Prandaj mënyra, trajtesa dhe edukata e prindit i rrinë ngjitur serialit nga fillimi në fund. Është e vështirë kur një individ mëton ta arrijë çdo lloj suksesi për të mos zhgënjyer prindin. Zhgënjimi vetanak tjetërsohet në mësim dhe forcë në shumicën e rasteve, zhgënjimi kolektiv të cilin zakonisht e instalojnë prindërit tek fëmijët me a pa vetëdije, shkatërron një zinxhir të tërë i cili shuplaken më të fortë në këtë rast ia jep fëmijës.
Ngjarjet që në pamje të parë dukën të parëndësishme shpesh dinë të jenë fatale. Është e vërtetuar tashmë që ndodhitë që sjellin fatalitet e tragjedi jashtë dyerve të shtëpisë, jashtë familjes, ngjizjen brenda tyre e kanë. Ngjizje të tilla vijnë qoftë si pasojë e përpjekjeve të dukshme negative, qoftë përmes mos përpjekjeve për të gërmuar brenda të pa dukshmes.
One-shot
Skenat ‘One-Shot’ janë përmendur si diçka e veçantë e serialit vazhdimisht. Skena të tilla kemi parë edhe më herët në shumë filma e seriale. Më e veçanta mbetet tek përmbledhja e një ngjarje që shtrihet në katër sosh në katër episode pa pasur nevojën të zgjatet. Seriali i rrëfen në episodet 1 orëshe krimin, edukimin në shkolla, përballjen me psikologun dhe gjendjen e familjarëve pas krimit; shumë pastër, pa forcuar dhe pa pasur nevojën qe t’i bëjë bajat.
Pyetjet e injoruara, përgjigjet emergjente
‘Adolescence’ na përball me një varg pyetjesh të cilat edhe nëse i kemi ndërmend kohë pas kohe i injorojmë vazhdimisht, në bazë i gjithë seriali është një krijim i tillë, diçka që ne e shohim, ndjejmë, përballemi me të çdo ditë por nga përtesa dhe neglizhimi e vendosim anash derisa nuk na godet fort. Mes këtyre pyetjeve janë edhe këto:
Sa e rëndësishme është për ne mirëqenia e tjetrit? A jemi këta qe jemi për shkak të zgjedhjeve tona, apo të zgjedhjeve të shumë njerëzve përreth? Ku fillon dhe ku mbaron frika nga zhgënjimi? Nëse shkëpusim një zinxhir dhune, cila është pasoja tjetër që bartim tek tjetri?
/Gazeta Express