Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj ka qenë i ftuar në emisionin “Favorit” që transmetohet në T7, përmes një lidhje direkte.
Ai ka rrëfyer ekskluzivisht në “Favorit” për veprimet e Milan Radoijqiqit e deri te sjelljet e kryetarit Agim Ademi pas rastit në Rumani.
“Unë kam tentuar që problemet e FFK-së t’i rregulloj përbrenda, jam munduar me mish e me shpirt, mirëpo sa herë i kam adresuar, kam hasur në vesh të shurdhër. Kulmi ishte në Rumani, kur kryetari Agim Ademi e disa anëtarë të FFK-së u futën në zhveshtore e kërcënuan lojtarët. Aty e kam parë që nuk mund të jem në atë vend”, ka thënë ai fillimisht në “Favorit”.
“Më pas, kur shkuam në CAS për rastin në Rumani, kryetari Ademi nuk i lejoi lojtarët e as anëtarët e tjerë të FFK-së të dëshmojnë, edhe pse kemi pas mundësi të mira për të fituar”, shtoi Hodaj.
Tutje, ai konfirmoi se krimineli, Milan Radoijqiq ka qenë i përfshirë me një strukturë ilegale të Serbisë në Kosovë.
“Milan Radoijqiq ka qenë kryetar i Federatës së Futbollit për të Ashtuquajtërën Kosovë dhe Metohijë, kjo ka qenë publike, madje kanë pasur edhe faqe të Facebookut”, tha ai.
Hodaj nuk i kurseu kritikat për FFK-në, për të cilën tha se nuk ka fare profesionalizëm.
“Kur i kam parë skandalet e njëpasnjëshme, ka qenë momenti i reflektimit për mua. Aty nuk ka profesionalizëm, unë kam dashur t’u ndihmoj, mirëpo nuk kanë dashur ndihmën. Prej mosdijës, aty krijohen e plasin skandale”, shtoi Hodaj.