Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur ka njoftuar se së fundmi janë identifikuar edhe 11 persona të cilët ishin në listën e personave të zhdukur, që nga lufta në Kosovë. Viktimat ishin vrarë në prill të vitit 1999, në fshatin Kralan të Gjakovës.
Trupat e viktimave ishin bartur më pas në një varrezë masive në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.
Sipas Kushtrim Garës nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, viktimat kanë qenë kryesisht të moshës së re, nga mosha 14-15 vjeçare deri në moshën 42 vjeçare.
Në Masakrën e Kralanit rreth datave 2 deri më 4 prill 1999 u vranë dhe masakruan 87 civilë të pafajshëm.
“Në fillim të javës së kaluar janë njoftuar familjet për 7 identifikime ose identifikimin e 7 viktimave, kryesisht nga Komuna e Klinës. Në fund të javës së kaluar e kemi pasur edhe njoftimin e familjes së viktimës së tetë të identifikuar nga Komuna e Skenderajt, me banim në Fushë Kosovë, por po ashtu viktimë e Masakrës së Kralanit. Dhe, së fundmi, pra këtë javë, gjatë këtyre ditëve kemi pasur ose kemi realizu takime me familjarë, me qëllim të njoftimit dhe informimit zyrtar për identifikimin edhe të tri viktimave nga Masakra e Kralanit. Pra, pikërisht nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin”, ka thënë Gara.
Mentor Kryeziu, 18 vjeç në atë kohë, është një nga viktimat e Masakrës së Kralanit – trupi i të cilit është identifikuar tash së fundmi. Babai i tij, Maliqi rrëfen momentin kur forcat serbe ia kishin marrë djalin nga dora.
Identifikimi i kryer së fundmi për babanë e Mentorit ka rikthyer kujtimet e ditës më të keqe të jetës së tij.
“Kur jemi çu në këmbë për me ecë për në Shqipëri, vetëm një shteg e kishin lënë hapë për me dalë dhe në atë shteg ata prapë duke ecë, i këqyrshin njerëzit kush është, ndonjë i njohur, për me e marrë”, rrëfen Maliqi.
“Mentori në atë moment vrapoi dhe ma kapi dorën. Edhe u zbeh në fytyrë. E panë edhe ata. E kuptuan se është djali im dhe nuk na ka dhënë afat as me sekonda. Atij ia kanë fut armën në bark, mua këtej dy dhe i kanë thënë ec ti këtej, edhe mua ec ti këtej për Shqipëri. Ai ka qenë momenti më kritik dhe momenti më i rëndë për mua në jetën time, që kurrë nuk më hiqet nga mendja. Kurrë nuk më hiqet. Mentori ishte i fundit andej dhe unë i fundit këndej, dhe nganjëherë e kthente kokën dhe më shikonte. Por, nuk kisha çka me bo, nuk kisha qysh me i ndihmu”.
Mentori bashkë me dhjetëra shqiptarë të tjerë më pas ishte dërguar në Kralan të Gjakovës, ku dyshohet se u vranë.
Zeqir Morina nga Shoqata për të Pagjeturit në Komunën e Klinës thotë se data 4 prill është përcaktuar për rivarrimin e viktimave të luftës, të identifikuar tash së fundmi.
Kjo pasi që 4 prilli është përcaktuar nga Asambleja Komunale si Dita e Përkujtimit të Të Zhdukurve.
“Ne për çdo vjet i përkujtojmë të zhdukurit në Komunën e Klinës dhe po atë datë do ta bëjmë edhe rivarrimin e të gjeturve të shtatit, përkatësisht të tetit, edhe ai nga Vojniku, që është nga Komuna e Skenderajt do të varroset bashkë me neve, sepse bashkë kanë qenë, bashkë janë gjetur me një vend, edhe bashkë do t’i varrosin dhe data katër do të jetë dita e rivarrimit të personave të gjetur. Në Bishtazhin të Gjakovës janë gjetur”, ka thënë Morina.
Sipas Morinës, në rajonin e Klinës si pasojë e luftës së zhdukur kanë qenë mbi 130 persona.
“Prej atyre shënimeve që kam unë, kam mbajt që nga paslufta, po e përmendi shifrën e përgjithshme, shifrën e fillimit që ka qenë. Në fillim kemi qenë të angazhuar për çështjen e të zhdukurve, por edhe të burgosurve. Kanë qenë 186. Por, menjëherë shumë shpejt u liruan të burgosurit që e dinim që janë në burg dhe mbetën 135. Një kohë të gjatë ka vazhduar, disa vite, 135. U gjetën prapë të tjerët dhe mbetën 86 dhe pastaj më vonë 77, e tani janë gjetur 70 të pagjetur”, tha ai.
Me këto 11 identifikime që janë kryer aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tregoi se nga lufta janë zhdukur 1,407 persona, janë plagosur 6,682, janë burgosur 3,312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193,765 njerëz. Kurse, sipas të dhënave të Fondit për Të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1,636 persona.
Në dhjetor të vitit 2024 Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës së Personave të Pagjetur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. /Kallxo.com