string(101) "rritet-interesimi-per-mesimin-e-gjuhes-gjermane-ne-kosove-vecanerisht-nga-profesionistet-shendetesore"

Rritet interesimi për mësimin e gjuhës gjermane në Kosovë, veçanërisht nga profesionistët shëndetësorë

Lajme

Gazeta Express

30/03/2025 17:30

Qendra e gjuhës gjermane dhe e provimeve të OSD-së, e cila vepron në tri qytete të Kosovës, po shënon një interesim në rritje të vazhdueshme për kurset e gjuhës gjermane. Sipas drejtuesve të qendrës, numri mesatar i kursantëve që ndjekin programet mësimore arrin në rreth 250 nxënës në baza të rregullta raporton Ekonomia Online.

Ndonëse kanë nxënës të profileve të ndryshme, Arbër Xheladini thotë se mbizotëron profesioni i shëndetësisë.

Lexo Edhe:

“Ne si qendër e gjuhës gjermane dhe e provimeve të OSD-së jemi të shtrirë në tri qytete të Kosovës. Numri varion, mirëpo nëse e marrim një shifër mesatare e kursantëve, sillet rreth 250 nxënës që janë vazhdimisht duke e ndjekur kursin e gjuhës gjermane”, thotë Xheladini.

“I kemi tani disa kategori të nxënësve. Kemi nxënës ndjekin gjuhën gjermane vetëm për nivelin A1 për qëllime të bashkimit familjar, atyre nuk u nevojiten më shumë se niveli A1, e disa prej tyre vazhdojnë se derisa janë duke pritur vizën për të shkuar në Gjermani, ata vendosin të vazhdojnë me gjuhë sepse gjithsesi iu duhet dhe pastaj edhe në Gjermani kur shkojnë ose në shtetet tjera, detyrimisht kanë me vazhdu kursin, kështu që është një përparësi e madhe që ta ndjekin këtu kursin”, theksoi drejtuesi i qendrës.

Interesimi për mësimin e gjuhës gjermane është shtuar dukshëm gjatë tri-katër viteve të fundit, sidomos nga profesionistët në fushën e mjekësisë. Kjo lidhet me faktin që shumë studentë në Kosovë ndjekin studime në degë të ndryshme të mjekësisë në fakultete private, ndërsa shumë prej tyre synojnë të punojnë në Gjermani pas përfundimit të studimeve.

“Ky interesim ka filluar ka tre, katër vite dhe vazhdon ende të jetë shumë aktual dhe të ketë shumë kërkesa për mësimin e gjuhës gjermane nga profesionistët shëndetësor. Ky interesim lidhet me faktin që shumë njerëz këtu studiojnë mjekësinë në kategori të ndryshme të mjekësisë dhe fakultetet tona private ofrojnë shumë vende për studentë në fushën e mjekësisë, prandaj po mendoj që është edhe interesimi konform këtyre numrave dhe vazhdon edhe interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane, sepse shumica e sidomos infermierëve dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në Gjermani për arsye të ndryshme”, deklaroi Xheladini.

Kërkesat në rritje për mësimin e gjuhës gjermane reflektojnë trendin e migrimit për punë dhe nevojën për përgatitje profesionale të të rinjve kosovarë që synojnë një të ardhme në Gjermani.

“Nëse flasim për një nxënës mesatar. Ta zëmë niveli i parë përfundon përafërsisht për tre muaj dhe niveli i dytë dhe i tretë po ashtu nga tre muaj. Afërsisht tetë muaj mundet me përfundua nivelin B1, e ka edhe spitale tani që së fundmi që kërkojnë edhe nivelin B2, dhe nëse kërkohet një gjë e tillë atëherë e arrin 12 muaj. Mesatarisht në 12 muaj, një person është gatshëm ta zotërojë gjuhën për të punuar në fushën e infermierisë”, u shpreh ai.