Një shpërthim i fuqishëm, i cili thuhet se lidhet me një ngarkesë të përbërësve kimik që përdoren për prodhimin e lëndës djegëse të raketave, ka vrarë të paktën 28 njerëz dhe ka plagosur mbi 800 të tjerë në qytetin port, Bandar Abbasit, në jug të Iranit.
Autoritetet në Iran nuk kanë dhënë shpjegim të qartë për shkakun e shpërthimit të shtunën në portin Shahid Rajaei, megjithatë ekspertë të pavarur thanë se duket se është shkaktuar nga ruajtja e papërshtatshme i perkloratit të natriumit, një përbërës që përdoret në lëndën djegëse të raketave.
Të dielën, mediat shtetërore raportuan se shpërthimi është vënë nën kontroll.
Porti Shahid Rajaei është më i ngarkuari në Iran, pasi deri në 80 për qind e trafikut detar të vendit kalon nëpër të.
Hossein Zafari, zëdhënës i organizatës së Iranit për menaxhimin e krizave, duket se për shpërthimin e fajësoi ruajtjen e papërshtatshme të kimikateve në kontejnerët e portit.
“Shkaktar i shpërthimit ishin kimikatet brenda kontejnerëve”, i tha ai agjencisë së lajmeve ILNA.
“Më parë, drejtori i përgjithshëm i menaxhimit të krizave kishte dhënë paralajmërime për këtë port gjatë vizitave të tij dhe kishte theksuar mundësinë e rrezikut”, shtoi Zafari.
Sipas firmës private të sigurisë, Ambrey, porti kishte pranuar një ngarkesë me “lëndë djegëse raketore” në mars, e cila do të përdorej për të rifurnizuar rezervat raketore të Iranit pas sulmeve direkte ndaj Izraelit gjatë luftës me Hamasin – i cili është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.
Teherani nuk e ka pranuar zyrtarisht se e ka pranuar një ngarkesë të tillë, por të dhënat e gjurmitit të anijeve të siguruara nga Associated Press tregojnë mjete lundruese që besohet se transportonin këtë kimikat pranë portit në mars.
Ministria e Brendshme e Iranit tha se ka nisur një hetim për shpërthimin në port.
Incidentet vdekjeprurëse e kanë goditur infrastrukturën energjetike dhe industriale të Iranit edhe në vitet e kaluara – si shpërthime gazi dhe zjarre në rafineritë e naftës – dhe për shumë për to neglizhenca është cilësuar si shkaktar.
Megjithatë, Teherani e ka fajësuar gjithashtu armikun e tij të përbetuar, Izraelin, për disa prej incidenteve, pasi ai ka kryer sulme në tokën iraniane duke synuar programin bërthamor të vendit.
Vitin e kaluar, Izraeli bombardoi gjithashtu mbrojtjen ajrore të Iranit.
Irani akuzoi Izraelin për një sulm ndaj tubacioneve të gazit në shkurt 2024, si dhe për një sulm të madh kibernetik ndaj portit Shahid Rajaei në maj 2020, i cili shkaktoi kaos në transport për disa ditë pas kolapsit të sistemit kompjuterik të portit.
Porti Rajaei ndodhet rreth 1.050 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran, në ngushticën e Hormuzit, gryka e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon 20 për qind e gjithë naftës që tregtohet globalisht.
Zyrtarët lokalë njoftuan se të gjitha shkollat, universitetet dhe zyrat në Bandar Abbas do të mbyllen më 27 prill. /REL/