string(69) "seanca-e-neserme-ska-sinjale-per-ndryshim-qendrimesh-nga-asnjera-pale"

Seanca e nesërme, s’ka sinjale për ndryshim qëndrimesh nga asnjëra palë

Lajme

Gazeta Express

30/04/2025 7:57

Tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dështuar sërish të martën e 29 prillit. Një tentativë e re, e nënta me radhë në këtë drejtim, do të bëhet nesër.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Lexo Edhe:

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për të gjashtën herë ka dështuar të zgjidhjet në krye të këtij institucioni, por emri i saj pritet të jetë sërish i propozuar për postin e kryekuvendares. Deri më tani nga VV-ja nuk ka sinjale për ndryshim qëndrimesh, shkruan gazeta online Reporteri.

Haxhiu ditën e djeshme e ka hequr përgjegjësinë nga vetja kur është pyetur se pse nuk po i kërkon Kurtit që të heqë dorë nga emri i saj, e të gjej tjetër kandidat.

“Unë nuk jam vetëpropozuar dhe ky është qëndrimi i subjektit politik. Pra partia, Lëvizja Vetëvendosje në këtë rast e ka vendosur këtë dhe vetëm Vetëvendosja e ka të drejtën ta ndryshojë ose ta thotë një emër tjetër. Kur jemi këtu, ne jemi në një situatë të qartë. Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit dhe kjo i takon VV’së”.

Haxhiu ka thënë se cilido kandidat të ishte, partitë tjera do gjenin arsye të mos e votonin.

“Jam e bindur që kjo po bëhet për inate politike, sepse këdo tjetër që ne që do ta vendosnim si emër më herët, pra në kohën kur kemi ardhur te pika e emrit, unë jam e bindur do të gjenin ndonjë arsye për të mos e votuar. Ta zëmë po të vendosnim znj.Saranda Bogujevcin, do të thonin po e keqpërdorin për një të mbijetuar të luftës”, ka shtuar ajo të martën.

E sinjale për ndryshim qëndrimesh nuk ka as nga partitë që nuk po pajtohen me emrin e Haxhiut, si e propozuar për kryekuvendare.

PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.

Zyrtarë të këtyre partive, kanë përsëritur edhe mbrëmë se nuk ka ndryshim të qëndrimeve.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se e ka kthyer Kuvendin në një cirk me seancat për konstituimin e këtij institucioni që po mbahen çdo 48 orë.

Çitaku u shpreh se votimi nuk bëhet me diktat dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Republikës së Kosovës që një parti dhunshëm të mundohet të imponojë një kandidat.

“Askush nuk po ia konteston të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryekuvendar mirëpo është obligim i gruapcionit të parë politik që të ndërtojë konsesusin e domosdoshëm për të kaluar kandidaturën e tyre”, vijoi ajo në A2 CNN.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushtaku-Sadriu, ka deklaruar  se LDK nuk do ta mbështesë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Ajo theksoi se LDK ka qenë e qëndrueshme që nga fillimi dhe nuk do të ndryshojë pozicionin.

“Ne jemi shumë konsistentë dhe po e mbajmë qëndrimin që vërtet prej fillimit e kemi thënë. Nuk pritet asnjë ndryshim nga ana e LDK-së, sepse i kemi të qarta qëndrimet” tha Lushtaku-Sadriu në Klan Kosova.

Në këtë situatë është bërë bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.

Seanca e nesërme, pritet të mbahet në ora 10:00.