string(138) "seanca-ku-kurti-synon-ta-zgjedhe-qeverine-caktohet-sot-lvv-dhe-tri-partite-opozitare-sbashkepunojne-nisma-do-pjesen-e-saj-te-pergjegjesise"

Seanca ku Kurti synon ta zgjedhë qeverinë caktohet sot – LVV dhe tri partitë opozitare s’bashkëpunojnë, Nisma do “pjesën e saj të përgjegjësisë”

Lajme

Gazeta Express

01/04/2025 14:28

LVV po përpiqet ta formojë qeverinë e re. Një seancë konstituive e Kuvendit pritet të caktohet sot dhe në të njëjtën ditë kur ajo do të mbahet, partia në pushtet synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç tha të dielën kryeministri në detyrë. I vetëm, Albin Kurti nuk i ka votat e mjaftueshme për të qëndruar më tej në pushtet, me partitë opozitare që e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të. Ndërkohë Nisma e Fatmir Limajt kërkon “pjesën e saj të përgjegjësisë” për ta votuar qeverinë e re të vendit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Për formimin e qeverisë së re ka pyetur edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, kur kryeministri në detyrë shkoi atje të dielën për Bajram.

“Tash pasi u certifikuan rezultatet, është një seancë ku jepen betimet. Synojmë një seancë ku zgjidhet edhe kryetari, kryesia e Kuvendit dhe Qeveria, qysh e kemi bërë herën e kaluar, për të njëjtën ditë”, i tha Albin Kurti atij.

LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të certifikuara të enjten – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.

KQZ-ja e ka njoftuar zyrtarisht presidenten për rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve dhe ndarjen e ulëseve në Kuvend.

Vjosa Osmani pritet ta caktojë sot datën e seancës konstituive, i tha Gazetës Express Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Ajo ka thënë të premten në një prononcim për gazetarët se ekipi i saj ligjor po analizon se sa kohë mund të nevojitet për “përgatitje të kësaj seance”, në mënyrë që “kur të thirret seanca edhe duhet të jetë e suksesshme”.

Albulena Haxhiu, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, një nga figurat kryesore të partisë në pushtet, të hënën paralajmëroi “përpjekje” për formimin e “Qeverisë Kurti 3”. Megjithatë, ajo e përjashtoi mundësinë e diskutimeve me opozitën.

“Unë besoj se tashmë pas certifikimit të rezultateve vazhdon puna për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe për Qeverinë Kurti 3. Ne do të kemi përpjekje të vazhdueshme për të takuar grupe parlamentare, përjashto këtu opozitën, pra me partnerët tanë të koalicionit te cilët edhe jemi, por edhe natyrisht me të tjerët të cilët do t’i kemi”, tha Haxhiu për KosovaPress.

Partitë opozitare e kanë pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve duke konfirmuar në çdo rast se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në. Përjashtim këtu bën Nisma e Fatmir Limajt, pozicioni i së cilës mbetet më i paqartë.

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, tha të hënën për Paparacin se kjo parti “nuk voton asnjë qeveri për të cilën nuk ka marrë pjesën e saj të përgjegjësisë”.

Me partitë më të mëdha të cilat e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, partia e Kurtit, përtej partnerëve të vegjël brenda, nuk sheh mundësi tjetër përveç Nismës së kthyer në Kuvend, e cila ende nuk është pozicionuar qartë.