string(62) "seminari-kerkimor-lumbardhi-101-si-te-jetojme-ne-boten-e-lumit"

Seminari kërkimor: Lumbardhi 101, “Si të jetojmë në botën e lumit”

Arte

Gazeta Express

07/04/2025 18:37

Më 11 dhe 12 prill do të mbahet seminari kërkimor Lumbardhi 101: Si të jetojmë në botën e lumit, në Kino Lumbardhi në Prizren. Ky seminar formësohet prej disa takimeve lidhur me çështje të ekologjisë, të ndërtuarit e institucioneve dhe procese gjuhësore të cilat janë elaboruar në harkun e një viti përmes bisedave me hulumtues, artistë, profesionistë, praktikues kulturorë etj,.

Në fokus të këtij seminari është lumi dhe format se si e ka udhëzuar jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit. Përmes ligjëratave dhe prezantimeve të ndryshme, të ftuarit do të ofrojnë perspektiva të bazuara në ekspertizën e tyre lidhur me të jetuarit me lumin.

Lexo Edhe:

Ligjëruesit: Aslıhan Demirtaş, Artnet Haskuka, Bledar Pulaj, Blerina Kanxha, Ferdi Limani Fisnik Eger, Lena Violetta Leitner, Nebi Bardhoshi, Ovidiu Țichindelanu, Stephen Cowley

Më shumë për seminarin:

Lumbardhi 101 është një seminar hulumtues me fokus në lumin Lumbardhi, një aspekt

jetëdhënës, dinamik, por shpesh i mënjanuar i qytetit të Prizrenit. Dikur në qendër të strukturës sociale, kulturore dhe ekologjike të qytetit, lumi i mbushur me peshq, zogj dhe notarë, e fuqizoi qytetin me energji elektrike, duke mbajtur mbi 40 mullinj, ndërsa kalonte nëpër kopshte dhe rrugë, duke qenë pjesë thelbësore e jetës urbane dhe kujtesës kolektive.

Në fund të shekullit të kaluar, në përgjigje të ndërhyrjeve në strukturën e saj, lumi e “shkatërroi”urën ikonike të Gurit dhe jetuar kështu një jetë të përveçme e të shkëputur nga shoqëria. Edhe pse vlerësohet dhe vihet sërish në kontakt përmes festivaleve dhe bienales së qytetit, në ditët e sotme, lumi është kthyer një depo lëvizëse e mbetjeve toksike, pasi biodiversiteti i tij është varfëruar, qasshmëria në të është kufizuar dhe roli i tij në jetën e përditshme të qytetit është zbehur.

Ky seminar synon të tërheqë vëmendjen ndaj Lumbardhit dhe ta mendojë atë si një hapësirë të përbashkët – jo thjesht një burim, por një vend kujtese, lidhjeje dhe rigjenerimi të mundshëm ekologjik.

Duke bashkuar mendimtarë dhe praktikues nga fusha të tilla si ekologjia, antropologjia, ekolinguistika, arkitektura, urbanizmi dhe artet, ai synon të grumbullojë dhe shkëmbejë njohuri, të ndajë gjetjet fillestare të kërkimeve të reja, të eksplorojë perspektivat e trashëgimisë ujore, infrastrukturës, biologjisë, gjuhës dhe jetës urbane për të frymëzuar mënyra të reja të të menduarit dhe të jetuarit me lumin.

Përmes kërkimit, dialogut dhe përvojave të përbashkëta, seminari synon të rilidhë banorët dhe sendet me ujërat e Lumbardhit dhe të imagjinojë të ardhmen e tij të mundshme.