string(84) "serbet-nuk-i-ndahen-betejes-se-kosoves-policia-vazhdon-ta-zhvesh-mitin-ne-gazimestan"

Serbët nuk i ndahen Betejës së Kosovës – policia vazhdon ta zhvesh mitin në Gazimestan

Lajme

Gazeta Express

28/06/2022 16:10

Festa nacionalisto-fetare e Vidovdanit solli sot në Kosovë, vartësin e Vuçiqit në qeveri, Petar Petkoviqin dhe kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Shteti dhe Kisha e Serbisë kujdesen që serbët në Kosovë të ushqehen me idenë se “Kosova është origjina e serbëve dhe tokë e shenjtë e tyre”. Dy emisarët, mesazhet e tyre i shpalosën në Manastirin e Graçanicës ku pati liturgji. Të rinjëve nga Serbia, që quhen “pelegrinë”, e që bartnin  mesazhe nacionaliste në fanella, policia e Kosovës sipas praktikave të viteve të kaluara, ua zhveshte ato.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Rëndom, serbët nga Serbia dhe nga shtetet tjera ku jetojnë, organizohen dhe marrin rrugë drejt Graçanicës për të marrë pjesë në liturgjinë që shënon Vidovdanin e më pastaj vazhdojnë rrugën drejt monumentit të “heronjëve të Betejes së Kosovës” në Gazimestan, që gjendet afër fshatit Mazgit, tetë kilometra nga Prishtina. Kështu serbët vazhdojnë ta mbajnë të gjallë mitin e tyre 633 vjet të vjetër.

Para se të futen në Gazimestan, serbët që kanë veshje me mesazhe nacionaliste serbe detyrohen nga policia e Kosovës që t’i heqin ato pasi cilësohen si provokim.

Arrestimi i njërit nga pjesëmarrësit në Gazimestan pas shfaqjes së mesazheve nacionaliste

Petar Petkoviq, ishte i dërguari i Vuçiqit në Kosovë për Vidovdan u kujdes të bëjë deklarata provokuese.

Ai nga Graçanica sot tha se “s’është hera e parë që Prishtina provoi t’i provokojë serbët në Kosovë për festa”.

Petkoviq që i ka halë në sy autoritetet e Kosovës që janë përgjegjëse për vendosjen e rendit dhe ligjit tha se ministrat e qeverisë së Serbisë u ndaluan që të futen në Kosovë për të shënuar Vidovdanin.

“Përveç faktit se vizita e ministrave tanë që dëshironin të festonin Vidovdanin me njerëzit në Kosovë u ndaluan sot, ne patën një ndërhyrje të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në Gorazhedec dhe arrestimin e Milorad Gjokoviq. Provokimet sikur herave të kaluara erdhën nga Prishtina”, tha Petkoviq.

Kurse udhëheqësi fetar në Serbi, Patriarku Porfirije gjatë liturgjisë në Graçanicë tha se “Kosova është vendlindja e popullit serb”.

“Sot jemi mbledhur në Graçanicën e shenjtë. Kur jemi në këtë vend pa marrë parasysh se sa larg tij jemi, kur vijmë këtu ne kthehemi te vetvetja jonë, sepse ky vend në Kosovë është vendi i lindjes sonë, ne e kemi origjinën këtu”, tha ai nga manastiri i Graçanicës.

Kisha Ortodokse Serbe e cilëson festën e Vidovdanit si ditë përkujtimore për heronjtë e Serbisë që ranë gjatë Betejes së Kosovës më 1389.

Pelegrinazhi i serbëve për këtë festë mbahet te monumenti në Gazimestan.