Serbia vazhdon “lojën në disa karrige” - kërkon stërvitje me NATO-n, ndërsa armatoset nga Kina dhe mban lidhje me Rusinë - Gazeta Express
string(115) "serbia-vazhdon-lojen-ne-disa-karrige-kerkon-stervitje-me-nato-n-ndersa-armatoset-nga-kina-dhe-mban-lidhje-me-rusine"

Lajme

Gazeta Express

18/03/2026 7:35

Serbia vazhdon “lojën në disa karrige” – kërkon stërvitje me NATO-n, ndërsa armatoset nga Kina dhe mban lidhje me Rusinë

Lajme

Gazeta Express

18/03/2026 7:35

Serbia po vazhdon strategjinë e saj të njohur të balancimit mes fuqive globale, duke lëvizur paralelisht në disa drejtime të kundërta: nga njëra anë kërkon bashkëpunim ushtarak me NATO-n, ndërsa nga ana tjetër po forcon arsenalin e saj me armatim kinez dhe nuk heq dorë nga afërsia me Rusinë.

Së fundmi, Beogradi ka ftuar NATO-n për një stërvitje të përbashkët ushtarake që pritet të mbahet në muajin maj në jug të vendit. Kjo do të jetë stërvitja e parë e tillë që nga viti 2018 dhe e para pas vendosjes së moratoriumit për ushtrime me partnerë të huaj në vitin 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Por ky hap nuk shihet si një afrim i vërtetë me Perëndimin. Analistët theksojnë se bëhet fjalë më shumë për një manovër taktike sesa për një orientim strategjik.

Sipas analistit Kurt Basener, kjo nuk nënkupton as përafrim të plotë me NATO-n apo me vendet perëndimore.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Kinën, duke blerë sisteme të avancuara armësh, përfshirë edhe raketa balistike supersonike. Kjo e bën atë një ndër vendet e rralla në Evropë që furnizohet në mënyrë aktive me armatim kinez.

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, vazhdon të deklarojë neutralitet ushtarak, por në praktikë ndjek një politikë të shumëanshme që shpesh perceptohet si kontradiktore.

Serbia mbetet pjesë e programit Partneriteti për Paqe me NATO-n, duke marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete të përbashkëta. Megjithatë, paralelisht ajo refuzon të harmonizohet me politikën e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.

Për më tepër, Beogradi vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta politike dhe ushtarake me Rusinë, duke dëshmuar se nuk ka ndërmend të shkëputet nga ky partner strategjik.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, kjo qasje tregon qartë përpjekjen e Serbisë për të “ulur në disa karrige njëkohësisht” – duke përfituar nga bashkëpunimi me NATO-n dhe Perëndimin, ndërsa njëkohësisht forcon lidhjet me Lindjen.

Në këtë kontekst, ftesa për stërvitje me NATO-n shihet nga analistët më shumë si një lëvizje për të ruajtur kanalet e komunikimit dhe për të përfituar politikisht, sesa si një hap i sinqertë drejt integrimit euroatlantik.

Ndërkohë, në opinionin publik në Serbi vazhdon të ekzistojë një qëndrim negativ ndaj NATO-s, i ndikuar nga bombardimet e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement