string(113) "shahini-zrre-duhet-te-lejoje-bizneset-te-blejne-energjine-nga-kek-u-ndryshe-do-te-rriten-te-gjitha-cmimet-ne-vend"

Shahini: ZRRE duhet të lejojë bizneset të blejnë energjinë nga KEK-u, ndryshe do të rriten të gjitha çmimet në vend

Lajme

Gazeta Express

04/04/2025 21:00

Në emisionin EURO n’T7, krerët e organizatave të bizneseve kosovare kanë shprehur shqetësimet e tyre për propozimin për rritjen e tarifave nga ana e ZRRE-së, si dhe vendimin që bizneset me më shumë se 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim të kontraktojnë vetë energjinë elektrike.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se dalja në treg të hapur do të kishte kuptim vetëm nëse secili biznes do të mund të blinte energjinë elektrike direkt nga KEK-u me çmim 29.5 euro, dhe jo që atë ta blejë vetëm KEDS-i, i cili më pas ua shet bizneseve.

Lexo Edhe:

Sipas tij, është shumë e çuditshme pse KEK-ut nuk iu aprovua kërkesa për rritje të çmimit të energjisë, ndërsa KEDS-it po.

“ZRRE duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe t’u japë të drejtë bizneseve që ta blejnë energjinë elektrike nga KEK-u, e jo vetëm në tregun e hapur, kur çmimet dallojnë shumë. Po ashtu, ende nuk është e sqaruar se kush do ta paguajë shfrytëzimin e infrastrukturës për energjinë e blerë nga bizneset. Blerja e energjisë elektrike nga ana e bizneseve në treg të hapur do të rrisë çdo çmim, sepse çmimi momental i energjisë në treg të hapur është rreth 160 euro për megavat. Qeveria duhet të udhëzojë që ky ligj për daljen në treg të hapur të ndryshohet posa të krijohen institucionet e reja,” ka thënë Shahini.

Ndryshe, sipas Shahinit, nëse kërkesat e bizneseve nuk do të merren parasysh, do të ketë pasoja të mëdha në ekonominë vendore.

“Nëse nuk ndryshohet ligji, nëse bizneset nuk do të lejohen të blejnë energji direkt nga KEK-u, do të goditet rëndë ekonomia e vendit, e sidomos prodhuesit vendorë. Ata më nuk do të jenë të barabartë me prodhimet e huaja, sepse do të detyrohen të dalin në treg me çmime më të larta sesa prodhimet e importuara. Kosova me këtë do të jetë vendi me energjinë më të shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor,” ka shtuar Shahini.

Ky vendim për rritjen e çmimit të energjisë do ta vendosë Kosovën në një pozitë edhe më të pafavorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj.