Mbrëmë në Teatrin Oda u dha repriza e parë pas premierës, e shfaqjes “Kufiri” shkruar nga Ana Ristoska Trpenoska me regji të Sovran Nrecaj
Një djalë 12-vjeçar është i shtirë në mes të skenës. Sikur ëndrra evropiane, ashtu edhe shfaqja është po aq e vërtetë sa është e imagjinuar. “Kufiri” është një eksplorim teatror mbi migrimin, zhvendosjen dhe politikat e përkatësisë. Katër aktorë kalojnë nga një rol në tjetrin, duke shkrirë kufijtë mes teatrit dhe jetës, faktit dhe iluzionit. Shfaqja rrëfen historinë e një familjeje që rrezikon gjithçka për një të ardhmeje të pasigurt, e ndërthurur me rrëfime të tjera të frymëzuara nga përvoja të vërteta të emigrantëve. Nga policia kufitare te trafikantët, nga media te vetë emigrantët, shfaqja zbërthen realitetet e ndërlikuara të udhëtimeve të migrimit.
“Kufiri” përballet me një nga krizat më urgjente të kohës sonë: migrimin masiv nga Ballkani, veçanërisht Kosova. “Kufiri” trajton migracionin e shtyrë nga politikat kufizuese të Evropës dhe pabarazitë tjera globale. Shfaqja pyet: kush mund të kalojë, kush mbetet pas, dhe me çfarë çmimi?
Nga këndi i audiencës
Fëmija i shtrirë, skenë me të cilën hapet shfaqja, mban mbi supe kryesoren e këtij prodhimi teatror. Frymëzuar nga ngjarje jashtë kufijve të Kosovës, rreth Ballkanit sidomos, shfaqja na lëviz në periudha të ndryshme kohore, të migracioneve të vazhdueshme të popujve të varfër sidomos, drejt vendeve evropiane ose Amerikës. Rrëfimi i kohë pas kohshëm që u bëhet ngjarjeve në shfaqje, nga aktorët që lëvizin nëpër role, e qartëson idenë e audiencës për atë që po sheh dhe do të shohë. Ajo që shfaqjen (qëllimshëm) e ofron me audiencës dhe bashkëluhet me të është kamera që djaloshi rikthen herë pas herë nga ta, audienca mund ta shohë veten në ekranin përballë; e gjithë kjo na vjen si metaforë, nëse nuk kemi tentuar ne të migrojmë, dikush nga të afërmit tanë e ka bërë, rrëfimet e shfaqjes janë rrëfime të shumë njerëzve, rrëfime shumë të njohura për ne. Si rezultat duke parë lojën e aktorëve dhe mesazhin e tyre, ne e shohim veten, tjetrin ose veten dhe tjetrin në të njëjtën linjë.
Kufiri i dhimbshëm dhe satirik
Në lojën pasive; atë të djalit të shtrirë, pritjeve të udhëtareve për t’i deklaruar gjerat personale dhe pasaportat, në bllokimet pa frymëmarrje dhe mbështjelljen me batanije, i jepet një ngjyrim tragjik shfaqjes, që është i domosdoshëm. Pika që ‘Kufirin’ e mban të gjallë në skenë është satira e dyfishtë. Polici i kufirit (Shpetim Selmani) do ta vërë në pah vazhdimisht mesazhin që mëton të transmetohet përmes komedisë dhe humorit e që në anën tjetër ruan me vete një tragjedi të thellë, dhe satirizimi me mediat e kohëve moderne. Vajza që mban kamerën vazhdimisht për të rrëfyer migrimin, pasojat, vuajtjet, dhunën madje edhe vdekjen, e bën shumë shpërfillshëm, njëjtë siç portretizohen shumica e mediave tek ne sidomos, të shpërfillshme, në garë për klikimet dhe të pavëmendshme për etiken, për tjetrin.
Kjo lojë me mediat fillon e mbaron me shfaqjen, ky element piketohet dhe vendoset në thumb vazhdimisht, për të tentuar efektin konstant në rast se herave të tjera ky element është shpërfillur.
Satira e dyfishtë qëndron pikërisht në lojën brenda tekstit të shfaqjes, ashtu siç thuhet edhe aty, më nuk krijohen role jetësore në teatër. Prandaj rolet e shfaqjes ‘Kufiri’ dhe shfaqjeve tjera janë role që kapërcehen nga njeri tek tjetri, një aktor mund të luaj disa role brenda shfaqjes së njëjtë, ky kapërcim nga roli në rol, i shkon për shtat audiencës nëse shfaqja i përket këtij formati teatror dhe poashtu nuk krijon kaos me shumë personazhe në skenë.
Në lexim të dytë
“Kufiri” u krijua për të vendosur në pah defektet kolektive, për të paraqitur fenomene të cilat bashke me vete sjellin pasoja afatgjate, për të ngacmuar anën emocionale të popujve që zgjedhin këto fenomene si zgjidhje e që bashkë me to vijnë pasojat. Ama pse popujt e Ballkanit veçanërisht janë të piketuara në raste të tilla, sidomos kur flasim për migrimin, ekzistojnë plot shpjegime, me të drejtë në fokus janë ngjarjet historike dhe mënyra e jetesës se tyre për shekuj me radhë. Kur flasim për fenomenet që tronditin boten dhe ngacmojnë ndërgjegjën njerëzore jashtë këtyre kufijve, flasim edhe për defektet e këtyre popujve që bartin me vete jashtë kufirit. Këto ‘defekte’ vijnë si pasojë e një izolimi të gjatë, i një kazani plot të meta që janë mirëmbajtur për vite duke mos ditur që janë me ne, bashkëjetojnë me ne dhe si të tilla ne i bartim me vete pa vetëdije përtej kufijve gjeografikë.
“Kufiri” është pjesë e jona që del në pah dhimbshëm, dhe nganjëherë përfundon edhe me vdekje. Ikjet e njerëzve nga shtëpitë e tyre, duke vendosur jetën e tyre në të njëjtën linjë me vdekjen, flet mjaftueshëm për gjendjen e këtyre popujve dhe vetë neve. Skena të tilla ne kemi parë deri vonë, skena të tilla janë të freskëta për ne dhe skena të tilla, popujt jashtë Ballkanit që i shohin si fenomene ose si numra, për secilin brenda kufirit janë më shumë se kaq, njëjtë si në luftë, skena të tilla janë më shumë së të tilla për ne.
Luajnë: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Blend Sadiku, Kosovare Krasniqi dhe Leart Nrecaj
Skenografia dhe Kostumografia: Rudina Xhaferi
Videografia: Etnik Nrecaj
Kompozitore: Anda Kryeziu
Dizajni i ndriçimit: Yann Perregaux
Koordinatore: Renea Begolli
Asistente të produksionit: Arjeta Aliu dhe Delvina Bytyqi
Teknik: Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Arbresha Caka dhe Nikolas Pipero
Dizajn i posterit: Zana Begolli
/Gazeta Express