“Nesër në orën 15:00”. “Fuck YU”. “Kosova Republike”. Këto janë tri prej ballinave më emblematike të shtypura të Gazetës Express. Ato përshkruanin intervalin kohor të treditëshit, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurtin e 2008-s.
Numri i Gazetës Express, i datës 16 shkurt, i dedikohej ditës që do të vinte. Ballina e atij numri ishte krejt kuqezi. Mbi flamurin kombëtar ishte shtypur agjenda e ditës kur do të deklarohej pavarësia e Kosovës.
Në ballinën e ditës kryesore, e diel, 17 shkurt, numri i Gazetës Express kishte një të sharë. I drejtohej Jugosllavisë dhe tre udhëheqësve në periudha të ndryshme të saj, keqbërësve te mëdhenj ndaj shqiptarëve të Kosovës, Nikolla Pashiqit, Josip Broz Titos dhe Sllobodan Millosheviqit. Kosova më nuk ishte nën zgjedhën e tyre dhe të pasardhësve të tyre.
Atë ditë publikoheshin edhe intervistat e intelektualëve më të shquar shqiptarë të asaj kohe. “Ishim me fat”, thoshte atëherë shkrimtari Ismail Kadare për Gazetën Express. Për atë ditë, për Gazetën Express kishte folur edhe Arbën Xhaferi.
“Nëse Kosova do të shndërrohet në shtet të së drejtës, nëse shoqëria kosovare do të jetë e hapur, atëherë mund të konstatohet se pavarësimi i saj ishte një akt i drejtë historik dhe moral”, thoshte intelektuali shqiptar nga Maqedonia.
Prej figurave të rëndësishme që për atë ditë kishin folur në Gazetën Express, ishte diplomati amerikan Richard Holbrooke, që gjatë luftës në Kosovë ishte i angazhuari special i Presidentit Amerikan për të arritur paqen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ishte një gjykim i gjatë dhe i vështirë për ta arritur pavarësinë”, thoshte Holbrooke, i cili donte t’i thoshte kosovarëve, miqësisht, se shteti i tyre po lindte në rrethana të vështira.
Një ditë pas pavarësisë, më 18 shkurt, Gazeta Express kishte në ballinën e saj “KOSOVA REPUBLIKE”. Tanimë kjo parullë mund të bërtitej lirshëm, tanimë ajo ishte jetësuar.
Dhe në atë numër të Gazetës Express shkruhej “ Kjo nuk është vetëm një parullë e shkruar fshehurazi nëpër mure dhe askush më kurrë nuk do të dënohet 60 ditë burg për të. Tash, Kosova është Republikë përnjëmend. Sot, fillon njohja”.
Atë ditë veçse kishin filluar njohjet e para të Kosovës shtet. Pjesë tjetër dihet. /Express/