Shpërthimi i xixave të para të dashurisë - Gazeta Express
string(40) "shperthimi-i-xixave-te-para-te-dashurise"

Gazeta Express

31/12/2019 11:06

Shpërthimi i xixave të para të dashurisë

Gazeta Express

31/12/2019 11:06

(Avdush Canaj, “Buzëqeshje prej dielli”, poezi për fëmijë, Botimet “Faik Konica”, 2019, Prishtinë)

Nexhat Halimi

Lexo Edhe:

Libri i radhës i Avdush Canajt “Buzëqeshje prej dielli”, i botuar nga Shtëpia e njohur Botuese “Faik Konica”, është e koordinuar nga poezi për fëmijë dhe të rinj. Ky libër merret me të përditshmen dhe shpërthimin e xixave të para të dashurisë, merret me sytë, me dridhjet e lehta të zemrës, me çastet e fshehta dhe ndjesitë e vajzës dhe të djalit, ende në klasë të fillores, të cilët  sa herë ballafaqohen me njëri-tjetrin, ndiejnë diçka të veçantë dhe të bukur në vete, diçka që do t’i vërë në rrjedha të ëndërrojnë. Libri dallon në shumë rrjedha nga poezitë paraprake të autorit, si dhe të poezisë sonë në veçanti, sidomos nga forma dhe përmbajtja, nga tematika specifike, nga pikëpamja gjithnjë e re dhe ecën bashkë me tre apo katër poetë udhës së poezisë së mirë shqipe, e cila për ndonjë kohë sikur mbeti e këputur nga ikja nga kjo jetë e Vehbi Kikajt, Rrahman Dedajt, Gani Xhafollit. Tashmë pa mëdyshje mund të thuhet se udha krijuese e Avdush Canajt, Islam Balajt, Ymer Shkrelit ecën sigurt hapësirës së mbetur bosh nga brezat që e ngritën lart nivelin e poezisë që krijohet në këtë pjesë të letërsisë dhe në shumë aspekte e begatojnë dhe i japin kuptim dhe zgjerim të ri krijimtarisë poetike për fëmijë e të rinj.

Risi në libër është forma dhe përmbajtja. Autori në shumë raste poezitë i krijon natyrshëm, duke i eliminuar foljet të shumtën e herës dhe duke e krijuar esencës pa elemente të tepërta që do ta lëndojnë krijimin. Më pastaj, Canaj krijon poezi dhe pa shkronjë të madhe, pa presje dhe pika, herën tjetër, gjë që në krijimtarinë për fëmijë nuk janë hetuar në ndonjë libër më parë.

Risi tjetër dhe e bukur është libri i Canajt “Buzëqeshje prej dielli”. Ja pse:

Unë jam ti,

E ti je unë.

Gjithë bota

 është

jona!

(Gjithë bota)

Canaj ka pasur guxim të merret me një dukuri shumë pak të prekur te ne, me dashurinë dhe xixat e para që i shkrepin sytë e zemra e atyre, të cilët fillojnë të hetojnë simpati për ndonjërin nga shokët e lagjes apo të shkollës. Ky guxim ka bërë që autori të krijojë një libër mjaft të suksesshëm dhe ta dëshmojë këmbëngulësinë e vet lidhur me gjërat e pranishme mes nesh, të cilat tashmë i ka preokupime të përditshme brezi më i ri. Sepse:

S’është Mona Liza

Në Luvër të Francës

Është në timen klasë

Në të tetën tetë

-Çka po thua?!

-Në një bankë me mua!

Për kokë të mamasë

Kjo është e vërtetë.

(Çka po thua)

Autori me sukses i ka pikturuar rastet, të cilat mund t’i hetojë vetëm ndonjë penë e sprovuar dhe që e ngre deri në përsosmëri tematikën me të cilën merret. Rastet e shpërthimit të dashurisë, të shumtën të mbetura vetëm në përpjekjet dhe peripecitë e një simpatie, e cila ndërkohë ikën bashkë me vitet e pjekurisë së personazheve, për ta kujtuar një gjë tejet të bukur dhe të afërt, të këndshme, për ta mbajtur mend kohë të gjatë me mallëngjim. Në këtë rrjedhë ka dhe raste të realizuara me përkushtim, me tension, të cilat e flasin natën pa gjumë, e flasin preokupimin deri në drithërimën imagjinuese me të zgjedhurin e vet, i cili në imagjinatën e prekshme bën dritë. E shohin ëndërr njëri-tjetrin, e pëlqejnë në sjelljet e përditshme, në ecjet e veçanta, në të gjitha gjërat që i bën dhe kjo e zgjon kërshërinë që ai apo ajo të jetë i dashuri apo e dashura ideale. Pse është i dashuri i saj apo atij, veç pse ai tërë kohën e ka hijen e tjetrit pranë vetes, e ka afër dhe e pëlqen. Me të pranë, me frymën e tij i kryen detyrat e gjuhës, detyrat e matematikës… herë-herë ngel e hutuar, në gjysmë të rrugës, pa kuptuar çfarë bën dhe ku i ikën mendja.

Dashuria e vërtetë fillon gjithnjë nga gjërat e vogla, të bëhen pjesë e jetës së pandarë më vonë, në rrjedhat e kohës së pjekurisë së atyre që tashmë vetëm imagjinojnë. Është kohë tjetër kjo dhe flet me gjuhën e vet, e prek një tematikë tjetër gjithsesi të pranishme në moshë shumë më të re sesa e kemi përjetuar ne, brezat e kaluar. Libri dëshmon për angazhimin e madh dhe të pakursyer të autorit që të nënshkruajnë dhe një libër tejet atraktiv dhe të realizuar. Do të thosha të përkryer.