string(98) "shqetesuese-hodaj-thote-se-radoiciqi-organizonte-gara-ne-kosove-ffk-nuk-e-lejoi-te-ankohet-ne-uefa"

Shqetësuese: Hodaj thotë se Radoiçiqi organizonte gara në Kosovë, FFK nuk e lejoi të ankohet në UEFA

Futboll

Gazeta Express

04/04/2025 15:23

Ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj e ka shkruar një reagim mjaft shqetësues në Facebook në lidhje me heqjen e flamurit të Kosovës në Beograd, në Kongresin e UEFA-s.

Ish-shefi ligjor i FFK-së e ka bërë publik edhe një detaj tjetër të rëndë të cilin nuk e kishte paraqitur në shkresën e dorëheqjes që ia kishte dërguar Agim Ademit dhe FFK-së, e të cilën e ka publikuar ditë më parë Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sipas Hodajt, Serbia e ka një federatë serbe enkas për territorin e Kosovës, e që është pjesë edhe e statutit të Federatës së Futbollit të Serbisë.

Edhe më shqetësues është fakti se garat e futbollit serb në Kosovë, paralelisht me ato të FFK-së, sipas Hodajt, i ka udhëhequr terroristi Milan Radoiçiq.

Hodaj tha se ka tentuar të bëjë ankesë për këtë shkelje, por është injoruar nga FFK.

Reagimi i plotë i Hodajt, pa ndëryrje:

Duke reflektuar mbi kohën time në Federatën e Futbollit të Kosovës, e ndiej të nevojshme të ndaj disa shqetësime thelbësor rreth zhvillimeve të fundit në Kongresin e UEFA-së në Beograd.

Ashtu siç u pa qartë në Beograd, simbolet dhe respekti për Kosovën u shkelën në mënyrë flagrante, ndërsa mungoj një reagim proaktivë dhe protestë e dinjitetshme nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Vërtetë e ligë veprimi i Serbisë, siç është e ligë edhe ekzistenca e një federate paralele për ‘Kosovën dhe Metohinë’ brenda statutit të Federatës së Futbollit të Serbisë, me figura si Radoiçiqi, që kanë drejtuar gara paralele në Kosovë. Kërkesa ime të mëhershme për t’iu ankuar UEFA-s ndaj Serbisë për këtë shkelje flagrante të parimeve të futbollit dhe rregullave të UEFA-së është injoruar nga FFK-ja pa asnjë arsye legjitime.

Për të shmangur përsëritjen e këtyre skenarëve të papranueshëm, është imperativë që FFK-ja vetë të kërkojë në mënyrë aktive nga UEFA dhe organizatorët respektimin e plotë të statutit dhe trajtim të barabartë. Në mungesë të një iniciative të tillë, ne si futboll kosovar dhe si shtet, diskreditohemi dhe gjendemi në pozita të pafavorshme.

Besoj fuqimisht se vetëm me një qasje proaktive, të guximshme dhe të bazuar në parimet e statutit të UEFA-s, mund të sigurojmë respektin e merituar për futbollin dhe shtetin tonë. Është koha për një ndryshim thelbësor në mënyrën se si FFK-ja e përfaqëson Kosovën në skenën ndërkombëtare.