Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, në tri javët e para të muajit prill, 23 gra mbi moshën 40-vjeçare sollën në jetë foshnjet e tyre. Ky trend po theksohet gjithnjë e më shumë duke parë se në vitin 2022 po në këtë spital, 101 gra mbi të 40-at u bënë nëna. Po ashtu, U.d., Shef i Repartit Gjinekologjik në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Dr. Besim Nikqi konfirmon një rritje të lehtë të rasteve të grave që lindin pas moshës 40, sidomos ato që bëhen nëna për herë të parë. Kjo dukuri është në përputhje me tendencat globale dhe europiane, vijon doktori. Psikologia klinike, Donika Shahini-Lami, vë në pah faktin se gratë në të 40-at kanë më shumë stabilitet emocional, ekonomik. ndjenjë vetëdijesimi dhe më shumë përgatitje për sfidat. Nga ana tjetër, ish-miss Kosova, Diellza Kolgeci, e cila shtatzëninë e filloi në moshën 39-vjeçare dhe lindi një vajzë të shëndoshë në mënyrë normale, këshillon gratë që të mos i dëgjojnë ata që u thonë “ju ka kaluar koha”. Ndërsa, gjinekologu i njohur Dr. Shefqet Lulaj, thekson se shtatzënia dhe lindja e fëmijës edhe “në moshë të shtyrë sjellin rehati emocionale dhe stabilitet familjar”.
Gratë që zgjedhin të bëhen nëna pas moshës 40 shpesh përballen me stigmatizim në shoqëri. Këtë e konfirmon Psikologia klinike, Donika Shahini-Lami, ku paragjykimet si “është vonë”, “nuk do kesh energji për fëmijën” apo “rrezik për fëmijën” mbeten të pranishme. Pra, ato shpesh përballen me dyshime dhe komente që cenojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kohën që duan për t’u bërë nëna.
Një nga ikonat e bukurisë kosovare, Diellza Kolgeci, në një bisedë për Gazetën Express, ka treguar se në moshën 39-vjeçare është ndier plotësisht e gatshme për të sjellë në jetë një fëmijë dhe se tani e ka më të lehtë të përballet me çdo sfidë.”
“Unë çdo herë e kam thënë që, kur të bëhem nënë, për mua prioritet do të jetë fëmija im, dhe dua që kur ta sjell fëmijën tim në jetë, të jem e përmbushur me jetën, të kem përvoja të ndryshme, të marr më të mirën nga jeta, që kur të bëhem nënë ta kem më të lehtë të përballem me çdo sfidë, si dhe të jem në dispozicion që fëmijës tim t’ia ofroj më të mirën, përveç dashurisë dhe kujdesit”, tha Kolgeci.
Ajo sfidon me qetësi ‘mitin’ dhe stigmën që u bëhet grave se “nuk mund të kenë shtatzëni të sigurta” pas të 40-ve, duke treguar se me kujdesin e duhur dhe përgatitje, një shtatzëni e shëndetshme është mëse e mundur.
“Po flas për veten – unë isha 39 vjeçe kur mbeta shtatzënë dhe deri në ditën e fundit të shtatzënisë kam qenë aktive me punë, sport dhe pa asnjë problem, duke marrë parasysh që tërë jetën time kam pasur një stil të shëndetshëm jete. Kjo do të thotë që jam ushqyer shëndetshëm, jam marrë me sporte, kam pasur gjumë të rregullt, etj. Varet nga organizmi i njeriut. Njoh shumë gra të cilat kanë lindur edhe në moshën 45 vjeçe dhe kanë qenë shumë mirë në çdo aspekt; njoh edhe gra të reja në moshë, por që kanë pasur komplikime. Mendoj që kjo varet shumë nga organizmi, i cili është formuar gjatë jetës”, deklaron Kolgeci.
Ajo duket se e ka shijuar mjaftë shumë periudhën e shtatzënisë, kur rikonfirmon se nuk ka pasur probleme “sa që edhe këpucët deri ditën e fundit i kam mbathur vetë”, thotë Kolgeci.
“Në anën psikike kam qenë shumë mirë – kuptohet, ka pasur momente kur kam pasur pyetje e pyetje për t’u siguruar që çdo gjë do të jetë në rregull me fëmijën tim, por ato janë normale”, vijon ajo.
E bukura e pasarelave të modës, Diellza Kolgeci beson se gratë duhet t’i japin vetes kohë për të ndërtuar karrierën dhe për të ndjekur zhvillimin personal, e më pas të planifikojnë jetën familjare.
“Sipas mendimit tim, unë jam pro asaj që gratë së pari të shkollohen, të avancohen në punët – karrierat e tyre, të bëhen të pavarura edhe ekonomikisht, e pastaj të planifikojnë për familje. Sepse jam shumë e sigurt që në këtë kohë moderne, nëse një nënë është e përmbushur ende pa krijuar familje, atëherë ajo familje do të jetë stabile, më e qetë, dhe automatikisht, kur një grua është e përmbushur dhe e emancipuar, shanset për të rritur një fëmijë në një frymë të shëndetshme janë më të mëdha. Për mua, lumturi është kur vajza ime është e qetë dhe rritet shëndetshëm”, tha Kolgeci për Gazetën Express.
Mesazhi i Diellzës: Duani vetën, mos i dëgjoni kur ju thonë ju ka kaluar koha!
Diellza thotë se çdo fëmijë rritet më i lumtur dhe me më shumë vetëbesim kur ka pranë një nënë të përmbushur.
Ajo porositë të gjitha gratë që të mos ndikohen nga fjalët e të tjerëve, duke ua rikujtuar se kujdesi për vetën duhet të jetë primar.
“Për të gjitha gratë – ju them: duani veten në radhë të parë. Mos i dëgjoni të tjerët kur ju thonë se “ju ka kaluar koha”. Konsultohuni me njerëz profesionistë, keni prioritet shëndetin tuaj mendor dhe fizik. Nëse me të vërtetë dëshironi të keni fëmijë, ju jeni ato që vendosni kur do ta sillni në këtë botë – sepse ju jeni ato që do të kujdeseni për ta. Andaj, mos lejoni që fjalët e të tjerëve t’ju ndikojnë. Një nënë e lumtur dhe e përmbushur rrit fëmijë të lumtur, të cilët më pas bëhen njerëz të mirë dhe të suksesshëm”.
Dr.Nikqi: Shumica e shtatzënive pas moshës 40-vjeçe përfundojnë me sukses
U.d., Shef i Repartit Gjinekologjik në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Dr. Besim Nikqi, në bazë të raporteve të spitalit që posedon tha për Gazetën Express se ka rritje të lehtë dhe të qëndrueshme të lindjeve në këtë grupmoshë, sidomos nga gratë që vendosin të bëhen nëna për herë të parë pas të 40-ve.
“Bazuar në përvojën tonë në repart, kemi vërejtur një rritje të lehtë të rasteve të grave që lindin pas moshës 40-vjeçare, qoftë për herë të parë apo për lindje të mëvonshme. Kjo dukuri është në rritje sidomos në dy vitet e fundit dhe është në përputhje me tendencat globale dhe europiane”, tha ai.
Ai tha se prania e grave në spital që lindin mbi moshën 40 vjeç, tani është më e dukshme.
“Vërejmë praninë e disa rasteve të nënave mbi 40 vjeç, dhe ky trend është më i dukshëm tani sesa para disa viteve. Në periudha të caktuara kemi pasur më shumë se një rast në javë, gjë që më parë ishte më e rrallë”.
Ai konfirmon se shumica e rasteve të tilla përfundojnë me lindje të shëndetshme.
“Edhe pse shtatzënia në këtë moshë kërkon kujdes të shtuar dhe monitorim më të afërt duke përfshi edhe testet prenatale jo invazive te cilat kanë edhe kosto me te larta, shumica e këtyre rasteve menaxhohen me sukses dhe përfundojnë me lindje të shëndetshme”, pohon doktor Nikqi.
Doktori, duke u bazuar në kontaktin e përditshëm me pacientet, tregon se arsyet më të zakonshme për shtatzëni pas moshës 40-vjeçare, sipas tij përfshijnë: “Përkushtimin ndaj karrierës dhe nevoja për stabilitet financiar para krijimit të familjes; Gjetja e partnerit të përshtatshëm në një fazë më të vonshme të jetës; Përfitimi nga mundësitë e reja në mjekësinë riprodhuese dhe trajtimet për infertilitet; Zhvillimi personal dhe vendimmarrja e pjekur për prindërim” tha ai.
Nga Klinika e Gjinekologjisë në QKUK thanë se nuk kanë statistika për numrin e grave që vendosin të bëhen nëna në moshën 40 e tutje. Nga ana tjetër Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren, bazuar në të dhënat e marra nga salla e lindjes, konfirmon trendin e rritjes së numrit të grave që vendosin të bëhen nëna në këtë moshë.
Në vitin 2022, numri i lindjeve nga gratë mbi moshën 40 ishte 101, pasur me vitin 2023 me 90 lindje dhe në vitin 2024 me 67 lindje, konfirmoi spitali për Gazetën Express.
Dr.Lulaj: Mjekësia bashkëkohore e përgatitur për sfidat e shtatzënisë pas moshës 36-vjeçe
Profesori i mjekësisë dhe gjinekologu i njohur Dr. Shefqet Lulaj, tha për Gazetën Express se “shtatzënia dhe lindja e fëmijës edhe në moshë të shtyrë sjellin rehati emocionale dhe stabilitet familjar. Këto familje janë të lumtura dhe kanë dëshirë për një jetë të përkushtuar ndaj fëmijës së tyre”, tha ai.
Megjithatë, doktori tha se shtatzënitë pas moshës 36-vjeçe mund të shoqërohen me rreziqe, por mjekësia bashkohore është e përgatitur për sfida të tilla.
“Shtatzënitë në moshë të shtyrë, sidomos ato pas moshës 36 vjeçe, shoqërohen me një rrezik të rritur për sëmundje gjenetike të frytit dhe rritje të rrezikut për keqformime morfologjike të tij. Mirëpo, mjekësia bashkëkohore është e përgatitur edhe për këtë, falë testeve gjenetike që realizohen që në fillimet e shtatzënisë dhe ekografisë morfologjike të frytit”, tha dr.Lulaj për Gazetën Express.
Ai shton “se shumica e këtyre shtatzënive përfundojnë me lindje me prerje cezariane, prandaj teknikat e sigurta operative garantojnë siguri edhe për këtë kategori të shtatzënave. Pra, edhe në moshë të shtyrë mund të bëhesh nënë, prind”.
“Këto gra, në këtë moshë, nëse dëshirojnë një rrjedhë të mirë të shtatzënisë dhe lindje pa komplikime, duhet të jenë të shëndosha dhe të mos vuajnë nga ndonjë sëmundje që rrezikon jetën e tyre. Për këtë arsye, paraprakisht duhet bërë vizitat e nevojshme për të konstatuar gjendjen shëndetësore të shtatzënave dhe nënave të ardhshme”, këshillon ai.
Çfarë mesazhi duhet t’i japim shoqërisë?
Psikologia klinike, Donika Shahini Lami, tha se mesazhet paragjykuese që u bëhen këtyre nënavendikojnë në mënyrë të nënndërgjegjshme te vetëvlerësimi i tyre, duke u shtuar presionin emocional dhe ndjenjën e vetmisë.
“Edhe pse shpesh janë më të pjekura dhe më të përgatitura psikologjikisht. Në disa raste, kjo mund të sjellë ankth, ndjesi faji, ose ndjesinë se duhet të “justifikojnë” zgjedhjen e tyre”, tha Shahini – Lami për Gazetën Express.
Narrativa duhet të ndryshojë nga “është vonë” në “është një zgjedhje personale dhe e vlefshme”, vlerëson psikologia.
“Shoqëria duhet të mësojë të respektojë kohën dhe rrugëtimin individual të çdo gruaje. Mesazhi mund të përqendrohet tek: Diversiteti i rrugëve drejt amësisë është i shëndetshëm dhe i vlefshëm”, shprehet ajo.
Si përparësi të grave që bëhen nëna pas të 40-ve, psikologia klinike e sheh se ato “zakonisht kanë më shumë stabilitet emocional, ekonomik dhe ndjenjë vetëdijësimi. Ato kanë një qartësi më të madhe për rolin e tyre si nëna dhe shpesh janë më të vetëdijshme për sfidat, duke u përgatitur më mirë emocionalisht”.
Psikologia bën thirrje për normalizim të amësisë në çdo moshë, “duke sfiduar stereotipet dhe përhapur informacion të bazuar në fakte, jo në paragjykime”.
Sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2023 në Kosovë kanë lindur 21 mijë e 654 fëmijë. Bazuar në grupmoshën 40-44 vjeç, numri i grave që u lindën fëmijë ishte 764. Nga kjo shifër numri më i madh i grave që lindën ishte në Prishtinë 152 gra, pasur nga Ferizaji me 44 gra dhe Gjakova 37 gra.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ua rikujton se kujdesi para lindjes – kontakti i rregullt me personel shëndetësor të kualifikuar gjatë shtatzënisë – është një komponent thelbësor i kujdesit të lindjes, i bazuar në një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut.
Gjithashtu, OBSH thekson se çdo shtatzëni dhe lindje është unike. Trajtimi i pabarazive që ndikojnë në rezultatet shëndetësore, veçanërisht në shëndetin dhe të drejtat seksuale e riprodhuese dhe çështjet gjinore, është thelbësor për të siguruar që çdo grua të ketë qasje në kujdes materniteti me dinjitet dhe cilësi të lartë. /Gazeta Express