Secili fshat ka veçantitë dhe karakteristikat e veta.
Gazetare: Aurora Amerllahu
Një i tillë është edhe fshati Gllobar, i cili është pjesë e komunës së Drenasit.
Aty banorët me vetiniciativë dhe vetëfinancim e kanë ndërtuar këtë shtëpi, e cila u shërben të gjithëve.
Ky është vendqëndrimi i të gjithë atyre që humbin ndonjë familjar. Pra këtu kryhen të pamet dhe kryefamiljarët presin e përcjellin të gjithë ata që vijnë për kryeshëndosh, raporton emisioni #gjesi në T7.
Muharrem Morina, si më i vjetri i fshatit, kujton kohën kur të pamet zgjatnin me muaj. Pavarësisht që kjo me kohë ka ndryshuar dhe e pamja zgjat një javë ose edhe më pak, sipas tij, shtëpia që e kanë ndërtuar ua ka lehtësuar punën shumë sa i përket pjesës së organizimit.
Ndërsa, sipas Skender Morinës, këtë vend banorët e përdorin edhe për raste gëzimi.
Ndryshe, Gllobari njihet edhe si një prej fshatrave më të pastër. Ndërsa mirëmbajtjen e tij e bëjnë vetë banorët.
Ky vend shfrytëzohet si atraksion edhe për shumë banorë.
Shqetësim për banorët e fshatit mbetet mungesa e trotuareve, pasi, sipas tyre, kjo paraqet rrezik për këmbësorët, sidomos për fëmijët.