Shvarm: Vuçiq e barazoi gazetarinë dhe propagandën - Gazeta Express
string(49) "shvarm-vuciq-e-barazoi-gazetarine-dhe-propaganden"

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 7:00

Shvarm: Vuçiq e barazoi gazetarinë dhe propagandën

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 7:00

Serbia ka pasur gjatë vitit të kaluar numrin më të madh të sulmeve fizike të dokumentuara ndaj gazetarëve në Evropë, sipas raportit të ri të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.

Kryeredaktori i të përjavshmes beogradase Vreme, Filip Shvarm, thotë se kjo nuk është befasi.

“Nuk jemi të befasuar. Dhuna në Serbi është normalizuar prej kohësh. Kreu i shtetit, konkretisht presidenti Aleksandar Vuçiq, është gjenerator i dhunës në shoqëri. Kur nga maja e shtetit gazetarët etiketohen dhe akuzohen vazhdimisht, sulmet fizike janë pasojë logjike”, thekson ai.

Sipas Shvarmit, situata është përkeqësuar pas tragjedisë në Novi Sad, ku rënia e një strehe në stacionin hekurudhor la të vdekur 16 persona.

“Protestat studentore dhe qytetare e kanë çuar Serbinë në krizën më të rëndë politike. Sulmet verbale dhe fizike ndaj gazetarëve janë shtuar. Regjimi e ka humbur çdo ndjenjë realiteti”, thotë ai.

Ai shton se për regjimin “e vërteta dhe drejtësia janë bërë armiqtë kryesorë”, duke akuzuar pushtetin për përndjekje të mediave profesionale dhe krijim të një “realiteti paralel” përmes mediave që kontrollon.

Shvarm vlerëson se mediat propagandistike kanë dy funksione kryesore: mobilizimin e elektoratit më të fortë të partisë në pushtet dhe frikësimin e mediave të lira.

Ai veçon veçanërisht Informer dhe Pink, duke thënë se Informer ka marrë një rol edhe më radikal.

“Informer është konceptuar si televizion pa asnjë kufi në fyerje dhe lavdërim të pushtetit. Nuk e fshehin që prodhojnë propagandë të drejtpërdrejtë dhe të pistë”, deklaron ai.

Sa i përket shërbimit publik, ai shprehet kritik edhe ndaj RTS dhe gazetës Politika, duke thënë se dallimet mes gazetarisë dhe propagandës janë zbehur ndjeshëm.

“Vuçiq e ka barazuar gazetarinë me propagandën. Politika sot mezi dallohet nga tabloidët”, thotë ai.

Sipas Shvarmit, rreth 90 për qind e mediave në Serbi kontrollohen nga pushteti, ndërsa pjesa tjetër “mbahet në një dhomë gazi, pa oksigjen”.

Ai përmend si shembull televizionet N1 dhe Nova S, të cilat sipas tij janë nën presion të shtuar.

“Nëse ndryshohet politika editoriale e këtyre dy televizioneve, ato nuk do të kenë më kuptim për publikun që i ka ndjekur deri tani. Qëllimi është t’i pamundësohet ekipit ekzistues të punojë profesionalisht”, thekson ai.

Ai paralajmëron se represioni do të shtohet sa më shumë që regjimi dobësohet politikisht.

Shvarm beson se Serbia do të kalojë në një tranzicion politik përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës.

“Qytetarët duan zgjedhje dhe ndërrim paqësor të pushtetit. Në Serbi në pushtet mund të vish vetëm përmes zgjedhjeve – përndryshe nuk ka as legjitimitet, as legalitet”, shprehet ai.

Ai shton se mbështetja ndaj partisë në pushtet shpesh është e lidhur me interesa materiale dhe jo me bindje ideologjike.

“Dashuria e tyre ka çmim. Kur të bëhet e qartë se askush nuk do t’i paguajë më për atë që bëjnë, atëherë do të vijë ndryshimi”, përfundon Shvarm. /Vijesti

Advertisement
Advertisement
Advertisement