Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka sqaruar këtë të martë procedurat që duhen ndjekur për rinisjen e procesit të riatdhesimit të qytetarëve shqiptarë të mbetur jashtë kufijve të vendit për shkak të koronavirusit.
Në një dalje për median, Balluku tha se duke nisur nga dita e shtunë, avionët e “Air Albania” do të nisin fluturimet në disa destinacione dhe me pagesa të arsyeshme. ditën e sotme procedurat e procesit të riatdhesimit nëpërmjet avionëve të Air Albania.
Balluku theksoi gjithashtu se të gjithë ata që do të kthehen, do të duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë në struktura hoteliere në Durrës, të cilat do të përzgjidhen vetë nga qytetarët.
“Shqetësimi juaj për procesin e riatdhesimit ka gjetur zgjidhje. Jemi angazhuar për të zgjidhur më gjerë këtë çështje sensitive, duke krijuar një mekanizëm të sigurt për riatdhesimin e studentëve dhe shtresave në nevojë. Duke filluar nga dita e shtunë, Air Albania do të nisë fluturimet nga disa pika të Evropës. Për të plotësuar kushtet e karantinimint kemi arritur marrëveshje me disa struktura hotelerie në Durrës, që kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi. Transporti ajror do të kryhet nga Air Albania. E gjithë kjo paketë, ku përfshihet transporti dhe strukturat e hotelerisë do të rezervohen online me pagesa të arsyeshme.
Për të kryer rezervimin e paketës duhet të aksesoni faqen e internetit AirAlbana.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesimi. Klikoni në linkun e hotelit për të zgjedhur paketën që iu përshtatet dhe më pas konfirmoni formularin elektronik të kushteve të karantinimit. Ky formular do të firmoset më pas nga ju. Ju lutem, lexoni me kujdes kushtet e vendosura në formular, se nuk do të tolerohet asnjë. Pas kësaj, mund të procedoni me pagesën elektronike për 14 ditët e karantinimit. Në email do iu mbërrijë konfirmimi i rezervimit, së bashku me një kod, të cilin do ta përdorni për rezervimin e biletës, që mund ta rezervoni në Air Albania, së bashku me pagesën”, theksoi ministrja.