string(81) "si-u-mbajt-mesimi-ne-malet-e-berishes-ne-kohe-lufte-flasin-mesuesi-dhe-komandanti"

Si u mbajt mësimi në malet e Berishës në kohë lufte, flasin mësuesi dhe komandanti

Lajme

Gazeta Express

14/09/2022 18:04

Në emisionin “Frontal” të T7, mysafirë sot kanë qenë ish mësimdhënësi Sali Çelaj dhe ish komandati Bedri Bajraktari. Çelaj, me vete në emision kishte marrë një ditar të djegur dhe tha se e vetmja dëshmi që ka shpëtuar nga lufta.

Ai tha se nuk e kanë ndërprerë mësimin edhe në kohë lufte, derisa tregoi se edhe rrogat i kanë pasur të vogla e kushtet e këqija.

Lexo Edhe:

Se ka qenë sfidë mbajtja e mësimit, e thotë edhe ish komandanti, Bedri Bajraktari. Ai tha iu pëlqeu propozimi që mësimi të mbahet në malet e Berishës.

“Mbrojtja e nxënësve ishte përgjegjësi shtesë. Njësitë tona ishin më shumë se 100 metra larg serrave ku jetonin nxënësit. Dy muajt e fundit, njësitet serbe kanë tentuar të hyjnë, por njësitë tona kanë qenë stoike aty. Janë vrarë pesë ushtarë me 18 prill në mbrojtje të kësaj shkolle, më 6 qershor janë plagosur edhe tre të tjerë. Dmth nuk e kemi kaluar lehtë këtë punë”, tha ish komandanti në “Frontal”, derisa shtoi se nuk është lënduar asnjë nxënës.

Çelaj kujton edhe ditën e parë kur ka filluar shkolla.

“Në ditën e parë kur është hapur shkolla këto fletore na ka dhënë shoqata. Ne i kemi grumbulluar nxënësit dhe ua kemi shpërnda të gjithëve nga një fletore dhe një laps për fillim. Pastaj iu kemi dhënë edhe libra”, tha Çelaj.

“Atëherë ka qenë mësim teorik më tepër, sepse s’kishim mjete – vjersha, tregime e përralla, shkruanim diçka. Ne arsimtarët i siguruam disa plane… Kanë qenë disa momente të vështira, por me rëndësi kemi qenë pranë nxënësve, ua kemi larguar frikën”, tha ish mësuesi.

Ai në Frontal tregoi edhe për orën e parë të mësimit.

“Së pari iu kemi shpjeguar për situatën e krijuar, iu kemi dhënë shpresën që do të fitojmë e i kemi shpjeguar qysh kemi ikë, pra ora e parë ka qenë në korniza të kohës se qysh kemi  ardhë deri këtu. Pastaj për me ua hupë frikën kemi fillu me recitime, valle. Fëmijët kanë qenë të hareshëm. Kur granatonin mbi neve, e shihnim flakën mbi kokën tonë, nxënësat qeshnin. Vullneti i mbante nxënësit”, tha ai.

Ndërsa ish komandanti, Bedri Bajraktari, forcat e UÇK-së me ato të Serbisë kanë qenë të pabarabarta.

“Forcat kanë qenë të pabarabarta, por vullneti jonë ka qenë shumë i madh”, tha Bajraktari.

“Rreziku më i madh ka qenë nga granatimeve, por zgjedhja e pozitës së kësaj shkolle, ka qenë një strategji… Mbrojtja e kësaj shkolle ka qenë prioriteti jonë”, tha Bajraktari.

“18 prilli ka qenë një ditë e rëndë për UÇK-në, kur kanë vdekur pesë ushtarë, por betejat kanë vazhduar, rezistenca nuk është thyer”, tha ai.

Ish mësuesi Çelaj tha se kjo shkollë ka vazhduar për dy muaj. /GazetaExpress/