Skanimet CT mund të shkaktojnë një në 20 raste kanceri, me rrezik në rritje për fëmijët e vegjël, sipas një studimi të ri.
Skanimet me tomografi të kompjuterizuar (CT) përdorin rrezet X për të krijuar imazhe të detajuara të brendshme të trupit.
Në Angli, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) kryen rreth pesë milionë skanime në vit për arsye të ndryshme, si për të vlerësuar dëmtime të brendshme pas një aksidenti, për të diagnostikuar sëmundje si kanceri, goditjet në tru, frakturat, ose për të monitoruar efektin e trajtimeve.
Por një studim i ri nga Universiteti i Kalifornisë sugjeron se këto skanime mund të çojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërive, gjirit dhe të organeve të tjera – dhe rreziku për foshnjat është dhjetë herë më i lartë.
Ky studim vjen në një kohë kur kujdesi ndaj kancerit në Mbretërinë e Bashkuar është raportuar si “në pikën e thyerjes”, për shkak të “keqmenaxhimit të madh”.
Sipas mjekëve kryesorë, vonesat në trajtimin e kancerit janë kthyer në “normën vdekjeprurëse” dhe nuk do të ketë përmirësime pa ndryshime rrënjësore.
Studiuesit, të cilët publikuan rezultatet në The Lancet Oncology, kritikuan qeverinë për konsultime të zgjatura dhe mungesë veprimi konkret, transmeton GazetaExpress.
Çfarë zbuloi studimi?
Sipas studimit, nga 93 milionë skanime CT të kryera në SHBA gjatë vitit 2023, pritet të zhvillohen afërsisht 103,000 raste të reja me kancer – një shifër 3-4 herë më e lartë se vlerësimet e mëparshme.
Rreziku për të zhvilluar kancer nga skanimet CT vlerësohet të jetë i ngjashëm me rrezikun nga konsumi i alkoolit apo mbipesha.
Studiuesit analizuan 93 milionë ekzaminime nga 61.5 milionë pacientë në SHBA për të vlerësuar se sa shpesh zhvillohej kanceri pas skanimeve.
Ata zbuluan se, për të rriturit, skanimet e barkut dhe legenit kishin rrezikun më të lartë, ndërsa për fëmijët, më problematike ishin skanimet e kokës.
Kanceret që mund të zhvillohen për shkak të rrezatimit të tepërt përfshijnë kancerin e mushkërive, zorrës së trashë, leukeminë, fshikëzën, gjirin dhe tiroiden.
Rreziku më i lartë u vërejt te ata që kishin bërë skanime para moshës njëvjeçare.
Reagime dhe këshilla nga ekspertët
Lynda Johnson nga Shoqata e Radiografëve tha:
“Komunikimi i saktë për përfitimet dhe rreziqet e skanimeve CT është thelbësor për të mbrojtur publikun. Përqendrimi vetëm te rreziku mund të çojë në shmangien e skanimeve që ndoshta do të diagnostikonin një kancer në fazë të hershme.”
Studimi, i publikuar në revistën JAMA Internal Medicine, vuri në dukje se përdorimi i skanimeve CT është shumë më i lartë në SHBA sesa në MB.
Dr Doreen Lau nga Universiteti Brunel në Londër shtoi:
“Ky studim nuk do të thotë që njerëzit duhet të shmangin skanimet CT kur rekomandohen nga një mjek. Në shumicën e rasteve, përfitimi i zbulimit ose përjashtimit të një sëmundjeje serioze është më i madh se rreziku i vogël. Por është e nevojshme të minimizohen imazhet e panevojshme dhe të përdoren dozat më të ulëta të mundshme – sidomos tek fëmijët dhe në rastet kur nevojitet imazheria e përsëritur.”
Stephen Duffy, profesor emeritus i depistimit të kancerit në Universitetin Queen Mary të Londrës, përfundoi:
“Nëse mjeku ju rekomandon një skanim CT, atëherë është e mençur ta bëni.”
Çfarë është një skanim CT?
Skanimi me tomografi të kompjuterizuar (CT) përdor rreze X dhe një kompjuter për të krijuar imazhe të detajuara.
Ndryshe nga një rreze X e zakonshme që prodhon një pamje të sheshtë, skanimi CT krijon imazhe në prerje të holla të trupit dhe mund të ndërtohet një model 3D i saktë i organeve të brendshme.
CT përdoret për të diagnostikuar dëmtime të kockave, organeve, tumorëve apo probleme të brendshme që nuk janë të dukshme përmes metodave të tjera.
Gjithashtu përdoret në arkeologji për të analizuar mbetje të brishta ose kafshë të zhdukura. /GazetaExpress/