Dy kosovarë janë arrestuar në Tiranë pasi që të njëjtit dyshohet se I kanë trafikuar dy pistoleta, me qëllim shitjen në kryeqytetin e Shqipërisë, me vlerë afro 10 mijë euro.
Sipas njoftimit nga policia atje, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
“Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet më tutje në njoftim.