Vështirësitë dhe presionet e jetës normale po keq klasifikohen si çështje të shëndetit mendor, sipas mjekëve të përgjithshëm
Një sondazh me më shumë se 1,000 mjekë familjarë zbuloi se 84% e tyre besojnë se presionet e përditshme po mbivlerësohen në aspektin mjekësor.
Kjo është pjesë e një raporti që paralajmëron se rritja e numrit të personave të etiketuar me çrregullime të shëndetit mendor mund të pengojë ata që kanë nevojë të vërtetë për ndihmë.
Gjithashtu, sipas think tank-ut Centre for Social Justice (CSJ), antidepresantët po përshkruhen tepër lehtë, pavarësisht vështirësive të njohura që lidhen me ndërprerjen e tyre.
“Sëmundjet e keqkuptuara të shëndetit mendor janë një kovë që rrjedh dhe po shterojnë kombin. Ato janë një nga shtytësit kryesorë të mosaktivitetit ekonomik”, tha Sophia Worringer, drejtoreshë e politikave në CSJ, për Sunday Times transmeton GazetaExpress.
“Asnjë iniciativë qeveritare për të adresuar simptomat e një ekonomie të ngecur, produktivitetit të ulët ose një brezi të shqetësuar nuk do të zgjidhë problemin nëse këto rrjedhje nuk mbyllen.”
Ky raport vjen pas analizave të javës së kaluar, të cilat zbuluan se numri i të rinjve nën moshën 18 vjeç të pranuar në spital për shqetësime të shëndetit mendor është rritur me dy të tretat (65%) gjatë një dekade.
Të dhënat, të publikuara në revistën The Lancet Child and Adolescent Health, treguan se pranimet për nën-18-vjeçarët u rritën nga 24,198 në 39,925 mes viteve 2012 dhe 2022.
Kritikët shqetësohen se rrjetet sociale po nxisin rritjen e rasteve kur njerëzit vetë-diagnostikojnë çrregullime të shëndetit mendor dhe ankth, duke krijuar një kërkesë të shtuar për ilaçe dhe trajtime të tjera.
Psikologia britanike Lucy Foulkes thotë se përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi problemet e shëndetit mendor për të ndihmuar në parandalimin ose reduktimin e simptomave në popullatë kanë pasur një efekt “paradoksal”.
Ajo sugjeron se kjo mund të çojë disa njerëz të diagnostikojnë gabimisht veten, edhe kur përjetojnë probleme relativisht të lehta ose të përkohshme.
Ndërkohë, Marjorie Wallace, drejtore ekzekutive e organizatës bamirëse për shëndetin mendor Sane, tha se pragu i diagnostikimit ndryshon nga pacienti në pacient.
Ajo theksoi se mijëra persona që telefonojnë organizatën, rreth 60%, raportojnë vetëlëndime dhe mendime vetëvrasëse, gjë që është një “ndryshim i plotë” nga situata para 10 ose 20 viteve.
“Gjithmonë do të ketë disa njerëz, veçanërisht tani nën ndikimin e rrjeteve sociale dhe fushatave të ndërgjegjësimit, të cilët vetë-diagnostikojnë dhe mjekojnë mirëqenien e vet mendore. Por kjo duhet të balancohet me marrjen e tyre seriozisht dhe njohjen e mundësisë që kjo të jetë një shenjë e nevojës së hershme për ndihmë”, shtoi ajo. /GazetaExpress/