Autor Nikollë Ukaj
Arti dhe feja – një raport i natyrshëm për fisnikërimin e njeriut
Lindja e qytetërimeve të hershme është e lidhur fort me fenë, aq sa janë edhe të padallueshme, dhe arti – përfshirë muzikën – ishte një pjesë integrale e qytetërimeve të tilla. Arti dhe feja kanë të njëjtin qëllim: kërkimin e misterit. Arti i vërtetë prek shpirtin dhe na bën të vetëdijshëm për diçka shumë reale në qenien tonë të brendshme. Në këtë funksion, arti mund të quhet edhe bija e vërtetë e fesë.
Krejt ky shpjegim reflekton atë që ndodhi në Stubëll, në pasditen e vonë të Pashkëve, ditën e Ringjalljes, pasi Kisha kishte përjetuar ringjalljen shpirtërore. Në mbrëmje, mes miqsh e mysafirësh të kudoardhur, mes jehonës së zërave të bukur, përmes muzikalitetit dhe artistëve me vokale të fuqishme, publiku përjetoi edhe një ringjallje emocionale e kulturore.
Kisha e Shën Jozefit në Stubëll u mbush me tinguj, shpirt dhe traditë në një mbrëmje të veçantë kushtuar Pashkëve. Koncerti “Festat i kemi bashkë” solli artin në një gërshetim mes besimit dhe identitetit shqiptar, duke i dhënë festës një dimension ndryshe – atë të ndjenjës së përbashkët dhe të ringjalljes shpirtërore.
Organizuar nga Famullia e Shën Jozefit, ky koncert u kthye në një takim të veçantë mes muzikës klasike, ndërkombëtare dhe shqiptare dhe shpirtit të festës. Në një atmosferë të përshpirtshme, publiku përjetoi një natë ku, ndërmjet tingujve, përmes artit, u përcollën edhe lutje, reflektim dhe shpresë.
Koncerti nisi me një interpretim të fuqishëm nga kori “Besa” i Gjakovës, nën drejtimin e Klodina Kryeziut. Himni “Engjëlli i Zotit” i Gjergj Fishtës, plot pathos dhe mesazh bashkimi, dha tonin e mbrëmjes dhe përçoi një ndjenjë të fortë uniteti kombëtar e fetar – një reflektim i qartë i thelbit të Pashkëve.
Moderatorja dhe njëkohësisht interpretuese, mezzosopranoja Besiana Mehmedi, e hapi mbrëmjen me një hyrje të veçantë, duke ndërlidhur elementet e përbashkëta festive me simbolikën e Pashkëve si festë ringjalljeje dhe dritë për popullin shqiptar. Me elegancën dhe emocionin që e karakterizon, ajo e udhëhoqi mbrëmjen me shumë finesë.
Të pranishmit u mirëpritën me fjalë përshëndetëse nga famullitari Don Fatmir Koliqi dhe kryetari i fshatit Marjan Ramaj, të cilët theksuan rëndësinë e elementeve të përbashkëta festive dhe rolin historik të Kishës si vatër shpirtërore, kulturore dhe artistike.
Don Fatmiri theksoi se:
Kisha, në bashkëpunim shekullor me artin dhe kulturën, e ka përdorur të bukurën si gjuhë simbolike për të shprehur përvojën shpirtërore dhe për ta shpallur mesazhin ungjillor në mënyrë të ndjeshme dhe fisnike.
Sopranoja e njohur Mariana Leka preku thellë zemrat e publikut me interpretimin e ndjeshëm të “Ave Maria” dhe më pas të “Panis Angelicus”, duke bërë që të pranishmit në kishë të përjetojnë një moment lutjeje dhe qetësie të brendshme. Çdo notë e saj dukej se prekte diçka më shumë se dëgjimin – prekte shpirtin.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte nderimi i murgeshave të Kishës, të cilat ndër vite kanë shërbyer me përkushtim të jashtëzakonshëm në komunitet. Motra Jella, si më e moshuara, mori një buqetë lulesh në emër të të gjitha murgeshave në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të tyre. Po ashtu, u vlerësuan motrat që kanë shërbyer në Stubëll, Letnicë dhe Binçë për rolin e tyre në ruajtjen e traditës, edukimin shpirtëror dhe ndihmën që japin çdo ditë në heshtje.
Ky akt nderimi solli në vëmendje fuqinë dhe ndikimin e gruas në mbrojtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare e fetare – një kontribut i palodhur që shpesh mbetet në hije, por që është thelbësor për jetën shpirtërore të komunitetit.
Mbrëmja vijoi me interpretimin e veprës “Stabat Mater Dolorosa” nga Mariana Leka dhe Besiana Mehmedi, duke e kthyer sallën në një vend meditimi të thellë, ku sakrifica dhe shpresa bashkëjetuan përmes tingujve. Performanca e Besiana Mehmedit me “Këngën për Nënë Terezën” dhe “Këngën për Gjergj Kastriotin” e lidhën festën me figurat më të ndritura të historisë sonë – një mesazh se shenjtëria dhe përkushtimi nuk janë të ndara nga identiteti shqiptar.
Kori “Besa” solli më tej këngët “Pranvera filloi me ardhë” dhe “Çil atë zemër plot kujtime”, duke sjellë emocione të ndryshme – nga gëzimi i rilindjes te nostalgjia për kohët dhe njerëzit që nuk harrohen. Emocioni dhe energjia që rrezatonin nga skena i kthyen këto çaste në kujtime të paharrueshme.
Një moment i veçantë ishte edhe interpretimi i “Valsit të lumturisë” nga Mehmedi dhe Leka – një çast gëzimi, lehtësie dhe bashkimi, që krijoi një atmosferë të ngrohtë, sikur e gjithë salla po frymonte me një zemër të vetme.
Në fund, mbrëmja u mbyll në mënyrë solemne me interpretimin e “Himnit të Evropës” nën dirigjimin e Maestro Zhani Ciko dhe kori “Besa” – një përmbyllje që shënoi jo vetëm fundin e koncertit, por edhe një urë mes identitetit tonë dhe përkatësisë evropiane, një akt simbolik që ngjalli ndjesi krenarie dhe bashkimi më të gjerë.
Pas këtij momenti, moderatorja Besiana Mehmedi falënderoi me shumë përzemërsi të gjithë ata që bënë të mundur këtë ngjarje: famullitarin Don Fatmir Koliqi për mikpritjen dhe frymën bashkuese, drejtorin e programit artistik Shkodran Tolaj për vizionin e tij, koordinatorin Nikollë D. Ukaj për organizimin me përkushtim, si dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që kontribuuan me zemër për realizimin e kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme.
Pas koncertit, në oborrin e kishës, “Grupi i grave të Stubllës” kishte përgatitur një koktej të thjeshtë, por plot dashuri. Festa vazhdoi edhe në oborr, ku vijuan bisedat, përshtypjet, buzëqeshjet dhe atmosfera e përzemërt. Të bashkuar dhe duke kënduar të gjithë së bashku, i dhanë një fund ideal një mbrëmjeje që ishte një festë e mbushur me art të bukur – dhe një kujtim i përbashkët që do të mbetet gjatë në zemrat e të gjithëve.