string(73) "studentet-serbe-i-japin-fund-bllokades-para-zyres-se-transmetuesit-publik"

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 21:48

Studentët serbë i japin fund bllokadës para zyrës së transmetuesit publik

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 21:48

Studentët serbë të hënën i dhanë fund një bllokade dyjavore të zyrave të transmetuesit publik në Beograd, pasi ligjvënësit plotësuan një nga kërkesat e tyre dhe thirrën për zgjedhjen e anëtarëve të një organi rregullator të mediave.

Serbia ka përjetuar që disa muaj protesta të udhëhequra nga studentët, të nxitura nga vdekja e 16 personave kur çatia e një stacioni hekurudhor u shemb në qytetin e Novi Sadit në nëntor.

Lexo Edhe:

Vdekjet ndezën zemërimin e akumuluar prej kohësh lidhur me korrupsionin dhe mungesën e mbikëqyrjes të supozuar për projektet e ndërtimit dhe zhvillimit.

Qindra studentë, të mbështetur nga qytetarë si dhe nga drejtues të disa universiteteve, kanë bllokuar që nga 14 prilli dy zyra të Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në kryeqytet, selinë qendrore në Beograd dhe një studio.

Ata kishin bllokuar gjithashtu Radio Televizionin e Vojvodinës (RTV) në Novi Sad, megjithatë kjo bllokadë kishte zgjatur vetëm një ditë.

Ata akuzuan transmetuesit kombëtarë për injorimin e protestave të tyre dhe kërkuan raportim në interes të publikut dhe një zgjedhje transparente të anëtarëve të organit rregullator të medias.

Më herët të hënën, një komision parlamentar bëri thirrje për zgjedhje të anëtarëve të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM).

“Bllokada e RTS-së ka përfunduar”, shkruajtën studentët në Instagram, ndërsa të tjerë brohorisnin “Fitore, fitore!” teksa vallëzonin përpara zyrës së RTS-së në Beograd, sipas një reporteri të AFP-së.

“Nuk është një fitore e plotë. Megjithatë, e arritëm pjesërisht”, tha për AFP-në Nada Bokatereviq, një studente e ekonomisë.

Protestat kanë rritur presionin mbi qeverinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke çuar në dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe kryeministren.

Vuçiq ka alternuar thirrjet për dialog me akuzat se studentët po përpiqen të organizojnë një “revolucion ngjyrash”. /REL