Personi që ra në prangat e Policisë të enjten pasdite në Fushë Kosovë, nuk është një emër i panjohur për publikun.
Burime të Sinjalit konfirmojnë se bëhet fjalë për Kenan Hasanin – i dënuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, që kishte ndodhur më herët dhe kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinion.
Hasani ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa pas shpalljes së vendimit të formës së prerë, ai kishte shmangur ekzekutimin e dënimit dhe ishte në kërkim nga organet e rendit.
Arrestimi është bërë më 24 prill 2025, rreth orës 14:00, në rrugën “Silifike” në Fushë Kosovë, ku njësitet e zbatimit të urdhëresave të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë ndërhyrë dhe e kanë lokalizuar Hasanin, duke e dërguar më pas në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për vuajtjen e dënimit.
Rasti i sulmit ndaj gazetarit Valon Syla ishte cilësuar nga mediat dhe spektri politik si cenim i lirisë së shprehjes dhe një akt i rëndë ndaj profesionit të gazetarit, për çka ishte kërkuar drejtësi e plotë dhe ndëshkim shembullor.
Vlen të theksohet se ata që dolën para gjykatës për këtë rast, u shprehën me një qetësi të padurueshme që “nuk i njohin ligjet e Kosovës, veç ligjin e Allahut”.