Sulmuesi i ri i Milanit, Niclas Fullkrug, ka folur hapur për periudhën zhgënjyese në Premier League me West Ham, duke shpjeguar arsyet pse aventura e tij në Angli nuk shkoi sipas pritshmërive.
Fullkrug u bë afrimi i parë i Milanit në afatin kalimtar të janarit, pasi u transferua nga West Ham në formë huazimi me opsion blerjeje. Sulmuesi gjerman kishte disa ditë që stërvitej me kuqezinjtë para zyrtarizimit dhe tashmë ka regjistruar paraqitje në dy ndeshjet e fundit të Serie A.
Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp me Milanin, Fullkrug u ndal te periudha e vështirë te West Ham, ku shënoi vetëm tre gola në 26 paraqitje në Premier League. Ai theksoi se lodhja fizike dhe mungesa e përgatitjes ndikuan drejtpërdrejt në formën e tij.
“Erdha te West Ham pas një sezoni shumë të gjatë me 57 ndeshje dhe pas EURO 2024. Nuk pata kohë të përgatitem si duhet fizikisht. Gjërat nuk funksionuan për mua në Angli, por tani dua të hap një faqe të re,” u shpreh Fullkrug.
Sulmuesi 31-vjeçar shtoi se ndihet i freskët dhe në formë të mirë te Milani, duke falënderuar stafin mjekësor për programin e përgatitjes. “Ndjesia është shumë e mirë. Nëse topi vjen në zonë, do të mundohem ta dërgoj në rrjetë,” përfundoi ai.
Fullkrug shpreson që te Milani të rikthejë nivelin që tregoi më parë me Werder Bremen, Borussia Dortmund dhe kombëtaren e Gjermanisë, duke kontribuar me gola dhe paraqitje të forta deri në fund të sezonit. /GazetaExpress
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...