Takimet në Bruksel nisin në ora 15:00, Borrell njëherë flet ndaras me Kurtin e Vuçiqin, pastaj bashkë - Gazeta Express
string(98) "takimet-ne-bruksel-nisin-ne-ora-1500-borrell-njehere-flet-ndaras-me-kurtin-e-vuciqin-pastaj-bashke"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2024 12:35

Takimet në Bruksel nisin në ora 15:00, Borrell njëherë flet ndaras me Kurtin e Vuçiqin, pastaj bashkë

Lajme

Gazeta Express

26/06/2024 12:35

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Brukselit për takimet e sotme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, bashkë me emisarin e dialogut, Miroslav Lajçak, do të presin kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lexo Edhe:

Takimet do të fillojnë nga ora 15:00 dhe fillimisht Borrell e Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.

BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.

Kryeministri Kurti dje tha se beson që takimi me presidentin serb në Bruksel do të jetë “në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar” të dialogut.

“Besoj që përveç tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitulimit të këtij procesi trevjeçar. Të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, tha ai në një deklarim para gazetarëve dje.

Ky është takimi i parë që do të zhvillohet mes dy liderëve pas sulmit terrorist në Banjskë.

Për këtë, Kurti tha dje se tensionet dhe eskalimet “e kanë adresën, sepse përgjegjësinë e fajësinë në Beogradin zyrtar”.

Për takimin dje shkroi edhe Lajçak, i cili tha se pret “guxim politik” nga Kurti dhe Vuçiq.

“Gjithçka është vendosur për nesër dhe ne shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre europiane”, tha Lajçak. Ai theksoi se vizitat e fundit në Prishtinë e Beograd i kishte në funksion të planifikimit të këtij takimi.