Që kur Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 31 përqind për importet nga Zvicra, ndikimi i parë në industrinë zvicerane ka filluar të ndihet. Një numër i vogël kompanish zvicerane kanë kërkuar tashmë kompensim për punë me kohë të shkurtër – një masë mbrojtëse që parashikon që sigurimi i papunësisë të mbulojë përkohësisht një pjesë të kostove të pagave për bizneset e prekura nga orët e reduktuara të punës, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Ky sistem synon të parandalojë humbjen masive të vendeve të punës si pasojë e ndërprerjeve të pashmangshme dhe afatshkurtra të aktivitetit ekonomik.
Megjithëse deri më tani vetëm disa kompani kanë ndërmarrë këto hapa, autoritetet paralajmërojnë për një përkeqësim të situatës. Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) pret që numri i aplikimeve për kompensim të punës me kohë të shkurtër të rritet ndjeshëm në javët e ardhshme, ndërsa pasojat e tarifave amerikane fillojnë të godasin më fort eksportuesit zviceranë.
Industria zvicerane, veçanërisht sektori i orëve, farmaceutikës, dhe makinave precize, shihet si më e rrezikuar nga këto masa tregtare të reja.