Masat tarifore të Donald Trumpit mund ta ngadalësojnë rritjen ekonomike të zonës euro me midis 0.5 dhe 1 pikë përqindjeje, ka thënë guvernatori i bankës qendrore greke në një intervistë për Financial Times të publikuar të hënën.
Komentet e Yannis Stournaras vijnë në sfondin e vendeve të Bashkimit Europian që po shqyrtojnë miratimin e një grupi të parë masash kundërpërgjigjëse të synuara për deri në 28 miliardë dollarë importe nga SHBA, që variojnë nga filli dentar deri te diamantet, në ditët në vijim, raporton Reuters.
Blloku prej 27 vendesh përballet me tarifa importi prej 25% për çelikun dhe aluminin dhe për automjetet, si dhe me tarifa reciproke prej 20% nga e mërkura për pothuajse të gjitha mallrat e tjera, shkruan The Guardian.
Në një intervistë për gazetën, Stournaras paralajmëroi se lufta tregtare globale që po afrohet rrezikon të shkaktojë një “tronditje të madhe negative në kërkesë” në Eurozonë, e cila mund të rëndojë ndjeshëm mbi rritjen ekonomike të Europës.
Ai i tha FT: “Një ndikim i dukshëm negativ në rritje mund të çojë në një aktivitet shumë më të dobët se sa pritej, duke e tërhequr inflacionin poshtë objektivave tona”.
Banka Qendrore Europiane ka vlerësuar se një tarifë gjithëpërfshirëse prej 25% nga SHBA ndaj importeve europiane do ta ulte rritjen e zonës euro me 0.3 pikë përqindjeje në vitin e parë. Kundër-tarifat e BE-së ndaj SHBA-së do ta ngrisnin këtë ndikim në gjysmë pikë përqindjeje.