string(128) "te-dhenat-personale-te-pa-mbrojtura-ne-rmv-se-shpejti-agjencia-per-mbrojtjen-e-te-dhenave-personale-do-te-kete-vetem-14-punonjes"

Maqedoni

Gazeta Express

17/04/2025 11:19

Të dhënat personale të pa mbrojtura në RMV, së shpejti Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ketë vetëm 14 punonjës

Maqedoni

Gazeta Express

17/04/2025 11:19

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pa pavarësimin e së cilës nuk mund të ketë bisedime, e as anëtarësim në Bashkimin Europian, tashmë për sa kohë po funksionon pa drejtor  dhe me vetëm 16 punonjës. Këto ditë edhe dy punonjës të tjerë do të dalin në pension, ndërsa Ministria e Financave jo vetëm që nuk jep pëlqim qoftë edhe për një punësim në vit, por edhe nuk u përgjigjet shkresave dhe paralajmërimeve të punonjësve dhe zëvendës-drejtoreshës, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Me vetëm 32 përqind të numrit të përgjithshëm të punonjësve Agjencia i mbulon të gjitha detyrimet në terren në të gjithë vendin dhe ka vetëm tre revizorë.

Lexo Edhe:

Shteti tani dhe në të kaluarën ka qenë shumë i painteresuar për situatën në këtë Agjenci (ndërkohë që BE-ja e ka vendosur atë në klasterin Sundimi i Ligjit), e as që mundohet që të paktën t’i inkorporojë në ligj rregulloret evropiane për inteligjencën artificiale, të dhënat, rregulloren për menaxhimin e të dhënave, rregulloren për hapësirën evropiane të të dhënave, rregulloren për shërbimet digjitale. Ende nuk është inkorporuar as rregullorja për tregun digjital, direktiva për sigurinë e informacionit dhe rregullorja për rezistueshmërinë e entiteteve kritike.

Para deputetëve në Kuvend nuk ka ligje të tilla, apo ndryshime me rregullore.

Kjo është e ashtuquajtura paketë digjitale, gjegjësisht legjislacioni digjital, që duhet të zbatohet në vendin tonë, i cili do të gjenerojë një vëllim më të madh të punës, kontrolle dhe mbikëqyrje, ndërsa në vend që Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të mbushet me ekspertë, gjithë këto vite nga ajo ka pasur vetëm largim dhe eksod të atyre pak punonjësve të mbetur.

Këtu bën pjesë edhe Rregullorja “eides 2.0”, ndryshimet për portofolin digjital.

“Na pyetën për dispozitat e propozuara, ne u përgjigjëm negativisht. Nuk ishte ashtu siç thuhet në Rregullore. Portofoli digjital duhet të jetë në fakt letërnjoftimi ynë digjital, një ID digjital dhe në të, përveç të dhënave tona personale, të dhënave të sigurimit shëndetësor etj., të gjitha dokumentet duhet të na vendosen në një, përmes një aplikacionit, në telefonin tonë celular”, thonë nga Agjencia.

Pjesa e mbrojtjes të të dhënave personale do të jetë përgjegjësi e Agjencisë, e cila do ta kryejë kontrollin. Prandaj është e rëndësishme që nëse miratohen këto ligje, kjo gjë të mos bëhet pa i përfshirë edhe (ato disa) punonjësit e saj.

Një pjesë e kësaj pakete ligjesh duhet të përgatitet nga Ministria e Transformimit Digjital, një pjesë nga Ministria e Administratës Publike, një pjesë nga Ministria e Drejtësisë etj.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si organ i pavarur në kuadër të Kuvendit dhe jo i varur nga Qeveria, kërkoi që t’i jepet pavarësi funksionale për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe menaxhimin e pavarur të fondeve buxhetore. Se duhet të jetë kështu thuhet edhe në Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Ligjin tonë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia kërkon pavarësi të plotë, me një buxhet të përcaktuar me ligj, që të mundet vetë t’i sigurojë kapacitetet dhe punonjësit e saj dhe të mos jetë në mëshirën e Ministrisë së Financave për pëlqim për punësimin qoftë edhe të një punonjësi në vit. Komisioni Evropian paralajmëroi për këtë në Raportin e Progresit për vitin 2024, por u injorua.

Ndër vite Agjencia ka kërkuar 5 deri në 11 punësime në vit, por nuk ka arritur të fitojë as edhe një. Një nga përgjegjësitë e tij të shumta dhe shumë të përgjegjshme për sferën më të ndjeshme të jetës sonë – të dhënat personale, është edhe ndëshkimi.

Paratë nga sanksionet kundërvajtëse e shqiptuara nga Agjencia shkojnë në llogarinë e Ministrisë së Financave.

Kujtojmë se gjatë vitit 2023 në Prokuroritë Publike themelore në mbarë vendin janë pranuar 86 kallëzime penale për Keqpërdorim të të dhënave personale nga neni 149 i Kodit Penal, nga të cilat 39 janë zgjidhur me kallëzim apo propozim për lëshimin e urdhrit penal, thuhet në analizën e Prokurorisë Publike publikuar në fund të vitit 2024.

Në vitin 2022, nga ana tjetër, në prokurori janë pranuar 88 kallëzime penale për keqpërdorim të të dhënave personale, prej të cilave 31 janë zgjidhur me ngritje të aktakuzës ose me urdhër penal.