Blogerët patriotikë dhe mediat tabloidë në Rusi kanë ngritur alarmin për një dukuri shqetësuese që po raportohet në rritje – mashtrime të organizuara nga të ashtuquajturat “të veja të zeza”, gra që thuhet se joshin dhe martohen me ushtarë rusë për të përfituar kompensime shtetërore nëse ata vriten në luftimet në Ukrainë.
Në një postim të bujshëm, blogerja Anastasija Kashevarova ka pretenduar se banda grash oportuniste veprojnë në rajonet e pushtuara të Ukrainës, ku joshin ushtarët rusë me qëllim përfitimi financiar. “Banda joshëse janë kapur në Lugansk”, shkroi ajo. “E përsërisin të njëjtën mashtrim disa herë”.
Nëse një ushtar rus vritet në betejë, shteti ofron deri në 60,000 dollarë kompensim për bashkëshorten dhe familjen, si dhe një pension familjar. Në rast se ushtari plagoset rëndë, kompensimi për paaftësi mund të arrijë deri në 36,000 dollarë.
Andrej Çerkasov nga platforma Current Time, që analizon mediat ruse, thotë se kjo temë është trajtuar shpesh në shtypin tabloid.
Një artikull nga një media në Siberi tregon një rast ku nëna e një ushtari ka akuzuar gruan e tij – e cila jetonte në qytetin Tjumen – se kishte organizuar një mashtrim.
Një propozim cinik i një agjenteje të pasurive të paluajtshme nga Tomsku ka shkaktuar zemërim të madh, kur ajo publikisht u sugjeroi klientëve një mënyrë për të siguruar para për të blerë prona: “Gjeni një ushtar që është në operacionin special ushtarak. Ai vritet, dhe ju merrni 100,000 dollarë”, deklaroi Marina Orlova me të qeshura.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra në rrjetet sociale ruse.
“Pyetja është: a është kjo agjente e pasurive të paluajtshme e gatshme të marrë përgjegjësinë për një skemë të tillë mashtrimi për gratë në të tridhjetat?”, shkroi blogeri Gasparjan.
“Ky është një krim që duhet të ndëshkohet me burgim”, komentoi një tjetër bloger me pseudonimin Shekspir.
Një profil në rrjetet sociale me emrin “Dnevnik padobranca” shkroi: “Ka shumë gra që madje bëjnë edhe fëmijë vetëm për të përfituar kompensim më të madh”.
Këto akuza dëmtojnë imazhin e “gruas heroinë”, të cilin propaganda e Kremlinit e promovon. Zyrtarët shtetërorë, përfaqësues të partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar” dhe vetë presidenti Vladimir Putin shpesh takohen me gratë dhe nënat e ushtarëve që luftojnë në Ukrainë. Mediat pro-Kremlinit i mbulojnë gjerësisht këto takime.
Disa blogerë rusë kanë sugjeruar gjithashtu se këto mashtrime mund të përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare. “Të veja të zeza që joshin ushtarët rusë nuk kërkojnë vetëm para – ato kërkojnë edhe informacione sekrete”, thotë Kaševarova.
“Ato janë agjente seksi që marrin informacione për njësinë ushtarake të bashkëshortit të tyre dhe i raportojnë armikut”, shkroi ajo.
Në kohën kur Rusia përballet me mungesë të personelit ushtarak në front, autoritetet vazhdojnë të rrisin rrogat dhe përfitimet për ata që janë të gatshëm të nënshkruajnë kontratë për të luftuar në Ukrainë. Megjithatë, këto stimuj mund të nxisin gjithashtu mashtrime dhe shfrytëzim, pasi disa individë kërkojnë të përfitojnë nga sistemi – dhe nga vdekja e të tjerëve.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...