Një 31-vjeçar nga Kosova ka mbetur i plagosur në Brugg AG, në kantonin e Aargaut në Zvicër si pasojë e disa të shtënave me armë pasditen e së shtunës.
Mediat zvicerane e përshkruajnë skenën si “diçka si nga një film aksion”.
Në mes të rrugës, një person dyshohet se nga automjeti i tij ka shtënë me armë drejt një automjeti tjetër ku ishte kosovari.
Sipas policisë kantonale, një 24-vjeçar zviceran është vënë në qendër të hetimeve si i dyshuar. Ai dhe një person tjetër nga Kosova u arrestuan nga Policia por u liruan më pas.
Ata dyshoheshin se ishin në veturën BMW, nga e cila pati shkrepje në drejtim të veturës Skoda e cila ishte në parking.
Kosovari 31-vjeçar, shoferi i Skodës, po merr trajtim në spital. Babai i tij e ka përshkruar gjendjen e të birit si të mirë.
Ai thotë se mesa duket djali i tij kishte hipur në veturë pas një vizite në fitnes, e më pas është qëlluar me armë zjarri. Me të ka qenë edhe vëllai i të plagosurit, i cili ka shpëtuar pa lëndime. Babai i tyre nuk ka dashur të komentojë një motiv të mundshëm të sulmit.