string(84) "termocentralet-e-vjetra-cdo-11-dite-pati-ndalje-te-prodhimit-pa-plan-ne-ndonje-njesi"

Termocentralet e vjetra, çdo 11 ditë pati ndalje të prodhimit pa plan në ndonjë njësi

Lajme

Gazeta Express

21/04/2025 7:45

Gjithsej 45 herë ishte ndalur prodhimi në pesë njësitë e termocentraleve Kosova A dhe B, vitin e kaluar – një mesatare prej pak më shumë se 8 ditë për një ndalesë.

Prej tyre 18 ishin ndalesa të paplanifikuara dhe 14 rënie blloqesh, gjithsej 32 sish ose 71% e totalit të ndalesave.

Lexo Edhe:

Bazuar në raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, mesatarisht çdo 11.4 ditë pati ndalesa pa plan ose rënie të ndonjë blloku.

Me tetë rënie, tetë ndalesa të paplanifikuara dhe dy tjera të planifikuara, njësia B2 e Termocentralit Kosova B, pati numrin më të lartë të ndërprerjeve të prodhimit më 2024, gjithsej 18.

Përgjysmë më pak pati ndalesa njësia B1, prej të cilave 4 ishin ndalesa të paplanifikuara dhe 3 rënie nga prodhimi.

Më 7587 orë pune ose 304 ditë e gjysmë, kjo njësi pati nivelin më të lartë të operimit dhe gjenerimit të energjisë elektrike.

Për dallim nga njësitë e B-së që operuan me 80% dhe 86.6% të orëve të vitit, tri njësitë e A-së, të cilat janë nëntë deri në 14 vjet më të vjetra, patën performancë ndjeshëm më të ulët 61.4%, 62.9% dhe 69.9% në vit.

Derisa dy njësitë prodhuese të termocentralit Kosova B janë vënë në funksion në vitet 1983 dhe 1984, njësitë A3, A4 dhe A5 janë vënë në funksion më 1970, 1974 dhe 1975.

Investimet në rehabilitimin e thellë për rritjen e besueshmërisë, kapacitetit dhe jetëgjatësisë, të një njësie të A-së dhe asaj B1, së bashku në vlerë rreth 250 milionë euro, ishin paraparë të përfundonin më 2024, por punët nuk kanë nisur ende.

Punët nuk kanë nisur as për rehabilitimin e njësisë B2, investim në vlerë rreth 95 milionë euro – i paraparë të përfundohej këtë vit.