Dibling raportohet se kërkohet nga 14 klube të Premier League.
Tyler Dibling do të bëhet një nga adoleshentët më të shtrenjtë në historinë e futbollit nëse Southampton arrin të marrë shumën e konsiderueshme që po kërkon për të.
Mesfushori ofensiv 19-vjeçar, të cilin Southampton e konsideron si një nga talentet më të mëdha në futbollin anglez, është në shënjestër të shumë klubeve pas një sezoni të jashtëzakonshëm me “Saints0”.
Në fakt, sipas Mail, plot 14 klube të Premier League kanë pyetur për Dibling, duke përfshirë Manchester United, Tottenham, Liverpool dhe Manchester City, të cilët janë të gjithë të interesuar për yllin e kombëtares angleze U-21.
Gjithashtu, ka një interes të fortë nga Gjermania, me Borussia Dortmund, Bayern Munich dhe RB Leipzig që po monitorojnë adoleshentin, i cili këtë sezon ka bërë 25 paraqitje në Premier League.
Sa kërkon Southampton për Dibling?
Sipas një raporti të The Telegraph, Southampton është gati të kërkojë më shumë se 100 milionë funte për yllin e tyre, një shifër më e lartë se ajo që Manchester City pagoi për të transferuar Jack Grealish nga Aston Villa në vitin 2021.
Tottenham raportohet se është një nga klubet që e pëlqen më shumë profilin dhe fleksibilitetin e tij, duke e bërë Dibling një “objektiv prioritar” pas interesimit të treguar në janar.
Megjithatë, raporti sugjeron se Manchester United ka një avantazh të madh falë drejtorit teknik Jason Wilcox, i cili e njeh shumë mirë Dibling nga periudha kur ishte drejtor sportiv te Southampton.
Skautët e United e kanë ndjekur nga afër lojtarin këtë muaj, duke e vëzhguar në ndeshjen e kombëtares U-19 të Anglisë kundër Uellsit në Bangor City.
Ish-mesfushori i Liverpool dhe kombëtares angleze, Danny Murphy, është i bindur se Dibling do të bëhet një “futbollist i veçantë” në të ardhmen.
“Ka cilësi të jashtëzakonshme – vetëbesim dhe fuqi fizike. Ai kalon kundërshtarët me lehtësi. Ka një këmbë të majtë të mrekullueshme. Është shumë i guximshëm me topin dhe vendimet e tij janë të sakta,” tha ai.
“Është e vështirë të entuziazmohesh shumë për lojtarë kaq të rinj, sepse sapo ka dalë në skenë, por ai do të jetë diçka e veçantë”.
“Është fantastike për të që po merr kaq shumë minuta te Southampton. Ata po i japin lirinë për të luajtur dhe kohën për të mësuar lojën”.
“Ai thjesht po e shijon futbollin dhe po luan me një vetëbesim të jashtëzakonshëm. Është një element kyç për këtë skuadër”.’ /GazetaExpress/