Tiger Woods më në fund ka folur pas thashethemeve të shumta që e lidhin me Vanessa Trump, ish-bashkëshorten e Donald Trump Jr.
49-vjeçari, i cili konsiderohet si një nga golfistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka fituar 82 turne zyrtare të PGA Tour, por shpesh është në qendër të vëmendjes edhe për jetën e tij private.
Së fundmi, ai është përfolur për një lidhje me Vanessa, e cila u divorcua nga Donald Trump Jr në vitin 2018 pas një martese 13-vjeçare, gjatë së cilës patën pesë fëmijë. Sipas raportimeve, vajza e tyre më e madhe, Kai, ndjek të njëjtën shkollë si fëmijët e Woods – Charlie dhe Sam.
Pas muajsh spekulimesh, Woods vendosi të bëjë publike lidhjen e tij të re, duke postuar një deklaratë surprizë në Instagram, ku numëron 3.5 milionë ndjekës.
Golfisti legjendar publikoi dy foto me Vanessa-n, njëra prej të cilave i tregonte të shtrirë në një hamak, me përshkrimin:
“Dashuria është në ajër dhe jeta është më e bukur me ty pranë meje. Mezi presim të udhëtojmë së bashku në këtë rrugëtim. Në këtë moment, do të vlerësonim privatësinë nga të gjithë ata që janë afër zemrave tona”.
Ivanka Trump reagon pas lajmit të Woods dhe Vanessa
Pak pas postimit të Woods, edhe Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit Donald Trump dhe ish-kunata e Vanessa-s, dha reagimin e saj në komente.
“Shumë e lumtur për ju të dy!” – shkroi ajo, duke shtuar disa emoji zemrash.
Ivanka ka shprehur më parë admirimin e saj për Vanessa-n, duke e quajtur atë “Wonder Woman” për mënyrën se si kujdeset për fëmijët e saj.
Në një intervistë për PEOPLE në vitin 2016, Ivanka tha:
“Kunata ime Vanessa është një makinë! Ajo mund të kujdeset për të gjithë fëmijët e mi dhe as nuk e vëren. Ka pesë fëmijë dhe për mua është një super grua. Ajo është një nënë e jashtëzakonshme dhe një frymëzim për mua”.
Ndërkohë, Woods është fotografuar kohët e fundit duke luajtur golf me Donald Trump, me raportime se ata po marrin pjesë në negociatat për një marrëveshje paqeje mes turneut të financuar nga Arabia Saudite LIV Golf dhe PGA Tour. /GazetaExpress/