Trajneri i Wolves, Nuno Espirito, e cilëson si absurde vendimin për të mos e suspenduar futbollin në Premierligës në këtë periudhë kur bota është goditur nga përhapja e virusit Covid-19, të njohur si koronavirusi.
Qeveritë dhe autoritetet sportive përreth botës janë duke ndërmarrë veprime drastike në tentim për ta ndalur përhapjen e këtij virusi. Serie A dhe La Liga janë në mesin e kampionateve vendore që janë suspenduar për një kohë, ndërsa ndeshje të shumta të tjera është vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve.
Por, për të gjitha kampionatet vendore, ndeshjet e kupave vendore, Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës e Kampionatit Evropian 2020 do të vendoset të martën, në takimin urgjent të ftuar nga UEFA.
Megjithatë, ndërkohë, Premierliga ka vendosur që ndeshjet jo vetëm që të mos pezullohen në këto rrethana, mirëpo ka bërë të ditur se do të lejohen tifozët nëpër stadiume, për dallim nga ligat e tjera në Evropë, përfshirë këtu edhe Ipko Superligën e Kosovës, që është vendosur t’i zhvillojë ndeshjet pa tifozë.
“Ne luajmë futboll e pastaj e kuptojmë se çfarë po ndodh në botë – njerëzit kanë vdekur dhe po vdesin. Pastaj ne luajmë futboll – kjo është absurde”, ka thënë Espirito, para fillimit të ndeshjes së Ligës së Evropës në Athinë.
Wolves i kishte kërkuar UEFA-s të shtyhet ndeshja e parë e 1/8 të finales së Ligës së Evropës kundër Olympiakosit pasi që pronari i klubit grek, Ervangelos Marinakis u diagnostikua me koronavirus. Megjithatë, UEFA ia refuzoi këtë kërkesë dhe ndeshja përfundoi me barazim 1:1. /Gazeta Express/