Trepça – Peja, sonte nis akti i parë i finales së madhe - Gazeta Express
string(52) "trepca-peja-sonte-nis-akti-i-pare-i-finales-se-madhe"

Basketboll

Gazeta Express

03/05/2023 10:31

Trepça – Peja, sonte nis akti i parë i finales së madhe

Basketboll

Gazeta Express

03/05/2023 10:31

Sonte do të nisë seria “e zjarrtë” e ndeshjeve finale të “play-offit” të Superligës së basketbollit.

Trepça dhe Peja do të përballen mes vete në palestrën “Minatori” në Mitrovicë në aktin e parë të finales.

Mitrovicasit i hyjnë kësaj loje të stërmotivuar pasi në gjysmëfinale e eliminuan Sigal Prishtinën duke e mposhtur në ndeshjen e pestë në kryeqytet.

Ata do të llogarisin në tifozerinë e tyre të flaktë, të cilët po presin plot katër orë para palestrës për t’u pajisur me bileta, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, pejanët, të cilët u ankuan për ndryshimin e vendimit që Trepçës t’i takojë përparësia e terrenit vendës, patën më shumë kohë të pushonin pasi në gjysmëfinale e eliminuan lehtësisht kampionin e dyfishtë të Kosovës, Golden Eagle Ylli.

Ata po ashtu do ta kërkojnë fitoren sonte në qytetin e minatorëve për ta pasur më pas më të lehtë në ndeshjet që do t’i luajnë në shtëpi.

Sidoqoftë, në finalen e “play-offit” na presin ndeshje të mëdha, numri i së cilave mund të shkojë deri në pesë nëse ekipet i fitojnë nga dy ndeshje në katër ballafaqimet e para.

Ekipi Gjelbër e Zi dhe ai Verdh e Zi janë duke e pritur titullin e kampionit qe një dekadë.

Ndeshja mes Trepçës dhe Pejës do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00. /Gazeta Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement