Kryeministri i Grenlandës kundërshtoi të dielën pohimet e presidentit amerikan Donald Trump se Amerika do ta marrë kontrollin e territorit ishullor, shkruan CNN.
Greenlanda, një ishull i madh dhe i pasur me burime natyrore në Atlantik, është një territor vetëqeverisës i Danimarkës, një aleate e NATO-s e Shteteve të Bashkuara. Trump dëshiron ta aneksojë këtë territor, duke pretenduar se është i nevojshëm për qëllime të sigurisë kombëtare.
“Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara ‘do ta marrin Grenlandën’. Le të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do ta marrin atë. Ne nuk i përkasim askujt tjetër. Ne vendosim për të ardhmen tonë”, tha Jens-Frederik Nielsen në një postim në Facebook.
Postimi i Nielsen vjen një ditë pasi presidenti amerikan i tha NBC News se përdorimi i forcës ushtarake nuk është jashtë opsioneve për marrjen e Greenlandës.
Në intervistën e së shtunës, Trump pranoi se “mendoj se ka një mundësi të mirë që mund ta bëjmë pa e përdorur forcën ushtarake”.
“Kjo ka të bëjë me paqen botërore, kjo është siguria ndërkombëtare”, tha ai, por shtoi: “Unë nuk përjashtoj asgjë”.
banorët dhe politikanët e Greenlandës kanë reaguar me zemërim ndaj sugjerimeve të përsëritura të Trump, ndërsa edhe liderët danezë i kanë kundërshtuar ato.
Trump gjithashtu tha “nuk më intereson,” kur u pyet në intervistë se çfarë mesazhi do t’i dërgonte kjo presidentit rus Vladimir Putin, i cili e ka pushtuar Ukrainën dhe i ka aneksuar disa nga provincat e saj në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.