Trump dhe roli i NATO-s në mbrojtjen dhe sigurinë evropiane - Gazeta Express
string(59) "trump-dhe-roli-i-nato-s-ne-mbrojtjen-dhe-sigurine-evropiane"

OP/ED

Gazeta Express

17/07/2024 16:47

Trump dhe roli i NATO-s në mbrojtjen dhe sigurinë evropiane

OP/ED

Gazeta Express

17/07/2024 16:47

Islam Spahija

Problemi kryesor evropianëve është pasiguria për të ardhmen e politikës së jashtme amerikane dhe varësia  e vazhdueshme e Evropës nga Amerika në anën tjetër.

Evropa sot është në pritje, midis Trumpit mospërfillës dhe Putinit të pamëshirshëm. Ajo ka kohë që  gjendet në gjysmë koma, duke u përballur me një fitore të mundshme zgjedhore të Donald Trump dhe me atë se çfarë do të thotë kjo për bashkëpunimin me SHBA-të, Rusinë dhe brenda-evropian. Te gjitha këto dilema të mëdha lidhen aktualisht me emrin e Donald Trump sepse Tramp po i jep fund politikës morale duke u dhënë drejt real-politikës.

Pas duelit të fundit televiziv Beiden-Trump, gjasat që Donald Trump të rizgjidhet President i Shteteve të Bashkuara më 5 nëntor janë shumë afër të bëhen realitet. Duke pas parasysh deklaratat e Trumpit për rolin e NATO-s në Evropë dhe Ukrainë, shumë qeveri evropiane e ndjejnë  rrezikun real se në këtë kohë lufte në Evrope, SHBA-të do ndalojnë ndihmën ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ndryshojnë rolin e angazhimit ushtarak në NATO, duke lënë Evropën nën mëshirën e pafuqisë së saj dhe pamëshirës së ariut të egër rus.

Qysh në mandatin e parë, administrata e ish-presidentit republikan të SHBA-së, Donald Trump, e pakënaqur me mos përmbushjen e obligimeve financiare, u kërkoi hapur evropianëve që të marrin sigurinë në duart e tyre dhe mos llogarisin në mbështetjen e pakushtëzuar nga SHBA-ja.

Gjate takimit te kryetares se Komisionit Evropian, zonjës von Der Leyen me presidentin Trump në vitin 2020, Trump ishte shumë ultimativ: “Ju duhet të kuptoni se ne nuk do të vijmë kurrë për t’ju ndihmuar dhe mbështetur nëse sulmohet Bashkimi Evropian dhe meqë ra fjala, NATO ka vdekur dhe ne do të largohemi nga NATO.”

Merkel :”Ne evropianët duhet të marrim fatin tonë në duart tona.”

Michael Link , Koordinatori i Qeverisë Federale gjermane për çështje transatlantike, pas duelit televiziv, midis Trump dhe Biden, tha se “Deklaratat e Trump janë shqetësuese për Gjermaninë dhe Evropën”,gjë që e bën edhe më të rëndësishme nevojën “që BE-ja dhe NATO-ja të përgatiten për të gjithë skenarët e mundshëm”.

Qarqet vendimmarrëse në Evropë janë duke i marrë shumë seriozisht deklaratat e këtilla të Trumpit, si lloj mesazhi traumatik që shumë shpejt mund të shndërrohen në vendim. Në të gjitha vendet e BE-se, po forcohet bindja se mbrojtja dhe siguria evropiane duhet të jetë prioritet i vete evropianeve.

Që në vitin 2017, kancelarja e atëhershme Angela Merkel paralajmëroi se Evropa nuk mundet më të llogarit në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. “Ditët kur ne mund disi të mbështetemi plotësisht tek të tjerët kanë mbaruar,” prandaj « Ne evropianët duhet të marrim fatin tonë në duart tona. «

Merkel  duket se ka qenë parashikuese. Nëse Trump zgjidhet në vitin 2024, aleanca transatlantike “mund të përfundojë me një zhurmë.”

Mesazhet e kandidatit republikan Donald Trump po shërbejnë edhe si një thirrje zgjimi për mbrojtjen dhe sigurinë evropiane. Ka disa politikanë, si ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, që mendojnë se Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e tij të përbashkët: “Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë, ne kemi nevojë për një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor për një politikë të jashtme efektive evropiane,”.

Komisioni Evropian ka marrë vendim për krijimin e një lloji Ministrie të Mbrojtjes evropiane,duke emëruar një komesar evropian të Mbrojtjes, i cili për mandatin e ardhshëm do të ketë në dispozicion 500 miliardë euro.

Amerikanët nuk kanë shitur kurrë kaq shumë armë në Evropë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Është e vërtet se Trump pezmatoi elitat politike evropiane me pohimin e tij se ai do të “inkurajonte” Rusinë të pushtonte aleatët e NATO-s, të cilët nuk “paguajnë faturat e shpenzimeve”. Por, kjo ka bërë që evropianet të shikojnë në prizmin e real-politikës tendencën që përfaqëson Trump në relacion me Evropën.

Efekti i këtyre kërcënimeve të Trumpit është se p.sh. qeveria e kancelarit Scholz arriti për herë të parë pas rënies se Murit te Berlinit të përmbushi detyrimet ndaj NATO-s për të shpenzuar dy për qind të PBB-së për mbrojtjen.

Në vitin e kaluar Evropa ka blerë armë në vlerë 83 miliardë dollarë nga amerikanët. Një e treta e tyre janë blerë nga Polonia dhe pjesa tjetër më me e madhe nga Gjermania. Pra, amerikanët nuk kanë shitur kurrë kaq shumë armë në Evropë, si në periudhën pas fillimit të luftës në Ukrainë. 68 përqind e armëve që blehen nga vendet evropiane janë prodhime amerikane.

Invazioni rus, ka bërë që të ulet megallomania evropiane dhe të pranohet varësia nga SHBA-të, duke shikuar në mënyrë vetëkritike besimin iluziv në paqen me Rusinë.

Shumë vite më herët zyrtarët amerikanë janë munduar t’i bindin aleatët evropianë që ta rrisin buxhetin për mbrojtje.

Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, përfaqësues i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale thotë se dikur për dekada të tëra, zyrtarët amerikanë vinin në Evropë me kërkesë për të nxitur aleatët evropianë që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, ndërsa, tani janë liderët evropianë, ata që po vijnë ne Uashington për t’i lutur zyrtarët amerikanë  që të vazhdojnë rolin udhëheqës në NATO dhe mbështetjen e Ukrainës.

Hija amerikane dhe grindjet evropiane

Gjermania dhe shumicae shtetëve të BE-së tani e shofin NATO-n të rëndësishme si në kohën e Luftës së Ftohët. Vet hija e rolit të SHBA-së në strategjinë mbrojtëse të Evropës aktualisht paraqet bërthamën e mospajtimeve në mes Gjermanisë dhe Francës dhe kjo po shkakton tensione të vazhdueshme. Franca është për një Evropë të fortë, që do të paraqitej si faktor gjeopolitik në arenën ndërkombëtare, ndërkaq Gjermania akoma kërkon që Evropa të mbështetet në fuqinë e Amerikës dhe të NATO-s për shkak se invazioni rus në Ukrainë,e cila e ka zënë të papërgatitur ushtarakisht, jo vetëm Gjermaninë, por në përgjithësi Evropën.

Ardhja e Trumpit dhe shpresa ruse për një Jaltë të re

Biden është presidenti i fundit i SHBA-së, botëkuptimi i të cilit u formësua nga lidhjet transatlantike. Edhe nëse ai rizgjidhet, polarizimi politik në vend dhe me aleatët do të vazhdojnë të ziejnë.

Me ardhjen në pushtet të Donald Trump pritet që raportet SHBA-Rusi të frymojnë ndryshe. Kryesisht, sipas dobisë dhe interesave konkrete, e shumë më pak të ngarkuara nga armiqësia e kohës se Lufta e Ftohtë. Se si mund të zhvillohen këto marrëdhënie, tregon edhe historiania dhe politologia Liana Fix nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, në Uashington, e cila pret që nëse Trump fiton zgjedhjet, ai me shumë gjasa më lehtë do të zhvillonte bisedime me Moskën sesa me aleatët perëndimorë: “Mund të supozohet se ai do të bëjë përpjekja për të negociuar me Rusinë për Ukrainën. Trump mund, për shembull, të propozojë një marrëveshje paqeje me kusht që Ukraina të mos pranohet në NATO dhe të pranojë të heqë dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia në lindje të vendit.”

Mikhail Zygar, gazetar rus që jeton në egzil në Berlin, shkrimet e të cilit janë publikuar edhe nga Der Spiegel, Foreign Affairs, në një artikulli me titull  «Putini po llogarit në fitoren e Trump për rendin e tij të ri botëror», botuar ne revisten amerikane “Vanity Fair” shkruan se që nga momenti kur Trump u zgjodh president, fjala Jaltë u bë një nga më të njohurat në mesin e zyrtarëve të Kremlinit. Ata ishin të bindur se Trump ishte personi i duhur për të rënë dakord për një spektakël të tillë të organizimit të një konference ndërkombëtare të formatit të Jaltës.

Sipas tij, Kremlini beson se gjithçka do të jetë ndryshe nëse Trump fiton në nëntor.  Moska është e bindur se Trump është gati (të paktën retorikisht) të çmontojë rendin e vjetër botëror dhe të pretendojë krijimin e një të riu.

Ëndrra e kreut të Kremlinit është organizimi i konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e “Treshes së të Mëdhenjve”, SHBA, Kina dhe Rusia, ku Putini është gati të kënaqet me rolin e partnerit të tretë, një lloj Churchill-i modern, ndërsa Trump cilësohet si Gorbaçovi amerikan në Uashington.

Këshilltarët aktualë të Putinit, janë të bindur se Shtetet e Bashkuara përfundimisht do të shpërbëhen dhe do të copëtohen në disa pjesë, siç ka ndodhur me Bashkimin Sovjetik.

Dhe kështu, sipas fantazisë së Kremlinit, Rusia do të fitojë Luftën e re të Ftohtë që do të ishte hakmarrja përfundimtare për humbjen e Luftës së Ftohtë dhe rënien e perandorisë bolshevike të BRSS-së, të cilën Putin kohë me pare e kishte mallkuar, duke e cilësuar, jo vetëm si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit, por edhe si fundin e “Rusisë historike”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement