Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse së shpejti nuk ka shenja të qarta progresi, kështu deklaruan të premten Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Shpejt, duam ta përfundojmë,” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse për ndonjë arsye njëra nga palët e bën shumë të vështirë, do të themi thjesht, ‘jeni budallenj, jeni njerëz të tmerrshëm’ dhe do të heqim dorë. Por shpresoj të mos arrijmë në atë pikë.”
Këto komente të Trump erdhën pas deklaratave të Rubio-s, diplomatit të tij më të lartë, i cili tha se palët kishin vetëm disa ditë për të treguar përparim, përndryshe Uashingtoni do të tërhiqej.
“Nuk do të vazhdojmë me këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet ta kuptojmë shumë shpejt tani, dhe po flas për çështje ditësh, nëse kjo është e realizueshme brenda javëve të ardhshme,” tha Rubio në Paris pas takimeve me liderë europianë dhe ukrainas.
“Nëse kjo nuk është e mundur, nëse jemi aq larg sa nuk ka shpresë për marrëveshje, atëherë mendoj se presidenti do të thotë: ‘mirë, mbaruam punë’”, tha Rubio, transmeton Gazeta Express.
Trump refuzoi të vendosë një afat të caktuar për sa kohë është i gatshëm të presë.
“Marco ka të drejtë kur thotë… duam të shohim fundin e kësaj,” tha Trump.
I pyetur nëse Presidenti rus Vladimir Putin po e zvarrit procesin, Trump u përgjigj: “Shpresoj që jo.”
Gjatë javëve të fundit, zyrtarët amerikanë kanë pranuar privatisht se gjasat për një marrëveshje të shpejtë paqeje në Ukrainë janë bërë gjithnjë e më të pakta. Deklaratat e Rubio-s, sipas tre diplomatëve europianë, pasqyrojnë frustrimin në rritje në Shtëpinë e Bardhë për shkak të mosbashkëpunimit rus për t’i dhënë fund luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se tashmë është bërë njëfarë përparimi për një marrëveshje paqeje, por se kontaktet me Uashingtonin janë të vështira. Ai shtoi se Rusia po përpiqet të zgjidhë konfliktin, duke garantuar njëkohësisht interesat e saj.
“Moska mbetet e hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, duke folur në Romë gjatë një takimi me Kryeministren italiane Giorgia Meloni, tha se ishte optimist se Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund kësaj “lufte shumë të përgjakshme”.
Një zyrtar amerikan tha se palët do të takohen sërish në Londër javën që vjen, duke i dhënë kohë Ukrainës të pajtohet plotësisht me një “marrëveshje termash” të paraqitur nga Uashingtoni. Sipas tij, Kievi është i gatshëm për një armëpushim të gjithanshëm në tokë, ajër dhe det për të paktën 30 ditë apo më shumë.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve të para në Shtëpinë e Bardhë. Ai e zbuti këtë deklaratë pas marrjes së detyrës, duke sugjeruar një marrëveshje deri në prill ose maj, për shkak të pengesave të shumta.
Ai ka ushtruar presion mbi të dy palët që të ulen në tryezën e negociatave, duke kërcënuar me sanksione më të ashpra ndaj Rusisë ose ndërprerjen e miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.
Reuters shkruan se nëse Uashingtoni tërhiqet, përpjekjet për ndërmjetësim të paqes me shumë gjasa do të dështojnë, pasi asnjë vend tjetër nuk ka fuqinë për të ushtruar presion të njëjtë mbi Moskën dhe Kievin.
Trump tha të enjten se pret të nënshkruajë një marrëveshje për minerale me Kievin javën e ardhshme, pasi përpjekjet në shkurt dështuan pas një përplasjeje të Zelensky-t në Zyrën Ovale me Vance dhe presidentin republikan.
Rubio tha se kishte folur me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pas bisedimeve në Paris dhe e kishte informuar për elementet e kornizës së paqes të SHBA.
Putin ka thënë se dëshiron që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për t’u anëtarësuar në NATO, të dorëzojë përgjithmonë katër rajonet që ka humbur dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj. Kievi thotë se këto kërkesa janë të barasvlershme me kapitullimin.
Rubio tha se europianët kanë një rol qendror në çdo marrëveshje paqeje, sidomos pasi sanksionet e tyre ndaj Rusisë do të duhet ndoshta të hiqen për të arritur një marrëveshje.
Ai shtoi se çështja e garancive të sigurisë nga SHBA ishte ngritur gjatë bisedimeve në Paris, duke shtuar se “kjo është një çështje që mund ta rregullojmë në një mënyrë të pranueshme për të gjithë”. Por ai paralajmëroi se “kemi sfida më të mëdha që duhet t’i zgjidhim”.