Turpshëm dhe frikshëm - Gazeta Express
string(21) "turpshem-dhe-frikshem"

OP/ED

Gazeta Express

11/02/2022 15:50

Turpshëm dhe frikshëm

OP/ED

Gazeta Express

11/02/2022 15:50

Presidentja Vjosa Osmani nuk u distancua nga gjuha denigruese dhe linçuese e bashkëshortit të saj Prindon Sadriu, ndaj mediave dhe gazetarëve. Qasje e turpshme. Kurse ministrja Donika Gërvalla, në vend që ta shkarkojë atë, po hesht. Heshtje e frikshme

Imer Mushkolaj

Xhafer Ahmeti ishte njeriu kryesor në misionin diplomatik të Kosovës në Malin e Zi. Në vitin 2014 ai shkroi një status në Facebook, në të cilin fyhej Sali Berisha, atëherë kryeministër i Shqipërisë. Reagimi i ministrit të Jashtëm kosovar asaj kohe, Enver Hoxhaj, ishte i menjëhershëm. Ai e ftoi diplomatin në Prishtinë dhe e shkarkoi nga detyra. Ministria kërkoi ndjesë, duke thënë se qëndrimet e Ahmetit nuk i përfaqësonin qëndrimet e institucioneve të Kosovës. Ahmeti nuk jeton më, por vendimi i ministrit ishte reagim i duhur, në kohën e duhur.

Prindon Sadriu është njeriu kryesor në misionin diplomatik të Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Është, po ashtu, epror rezervë i FSK’së dhe bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.

Së fundi, ai vuri në shënjestër mediat dhe gazetarët. I cilësoi hiç më pak se “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Nuk është hera e parë që Sadriu sulmon media dhe gazetarë. Për më tepër është raportuar se, në një rast, ai ka qenë i përfshirë edhe në përleshje fizike.

Gjuha denigruese, linçuese e Sadriut ndaj mediave dhe gazetarëve erdhi pas përpjekjeve të zyrës së presidentes për të paraqitur si njëfarë komploti ndaj saj raportimet që kishin të bënin me punën e saj tash dhe bëmat e saj gjatë kohës sa ishte deputete. Një lëshim etik në një medium, zyrtarë të partisë në pushtet, qeverisë e presidencës u përpoqën ta “shesin” si njëfarë sulmi të orkestruar medial ndaj pushtetit.

Pasi e fshiu statusin problematik në Facebook, Sadriu u përpoq “të nxirret” nëpërmjet një sqarimi, por dëmi ishte bërë. Dëmi ishte dhe vazhdon të jetë i madh, sa që u detyruan të reagojnë edhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias.

* * *

Pavarësisht skandalit, askush nuk mori masa ndaj Sadriut ndonëse, përtej aspektit etik, deklarimet e tilla publike të diplomatëve ndalohen edhe me një rregull të veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për më tepër, askush nga përfaqësuesit e institucioneve nuk shprehu as keqardhje, as u distancua nga gjuha që ai përdori.

Bashkëshortja e tij, presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë pohoi se i shoqi nuk i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Madje, porositi që të lexohet mirë ajo çfarë kishte shkruar ai. Lexoje si të duash e sa herë të duash, Sadriu ua ka vënë këtë epitet mediave dhe gazetarëve. Por, në vend që të distancohet nga kjo gjuhë, presidentja u përpoq t’ia mbush mendjen një populli se i shoqi nuk paska deklaruar ashtu, por se njerëzit nuk paskan ditur ta lexojnë si duhet.

Ndërkohë, tregim në vete është ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vartës i të cilës është Prindon Sadriu. Ajo jo vetëm që nuk ka marrë kurrfarë masash ndëshkuese ndaj tij, por edhe ka heshtur për skandalin. Dhe, masa e vetme që duhet të merret ndaj Sadriut, është shkarkimi. Ai nuk e meriton të mbajë pozitë diplomati me këtë qasje ndaj mediave dhe gazetarëve. Por, Gërvalla po hesht. Ajo po hesht turpshëm dhe frikshëm.

* * *

Tingëllojnë përralla për fëmijë deklaratat e tipit se deputetët nuk e paskan ditur dhe se tek tash e paskan marrë vesh për paratë që iu dalin në llogari, si kompensim për udhëtim. Kështu u përpoq dëshpërimisht të arsyetohet edhe Vjosa Osmani.

Të gjithë ata deputetë që kanë jetuar në Prishtinë, por që kanë marrë para për udhëtim duke dhënë si adresë banimi komunat nga vijnë, janë mashtrues dhe duhet të ndëshkohen. Ata nuk e meritojnë besimin e qytetarëve. Çdo përpjekje për të arsyetuar ato para, qoftë edhe një euro të vetme, janë përpjekje për të gënjyer, për të mos e thënë të vërtetën.

Askush nuk i ka faj as presidentes dikur deputete, e as deputetëve dhe ish-deputetëve të cilët kanë heshtur për ato para, pavarësisht se e kanë ditur saktësisht se po e vjedhin shtetin. Dhe, po të mos ishin mediat dhe gazetarët, ata që Sadriu i quan “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, plot skandale si ky i fundit nuk do të bëheshin publikë. Po të mos ishin mediat dhe gazetarët, deputetët e qeveritarët do ta kishin më të lehtë të bënin çfarë të donin pa u marrë vesh.

A gabojnë mediat dhe gazetarët? Natyrisht. Por, a është Prindon Sadriu ai që, nga pozita e diplomatit, duhet t’i “disciplinojë” ato? Kurrsesi. Ekzistojnë trupa të pavarur e rregullativë ligjore, nëpërmjet të cilave të gjithë ata që fyejnë e shpifin mund ta marrin dënimin e merituar. Siç ekzistojnë rregulla të qarta e rregullativë ligjore për të shkarkuar nga detyra diplomatin Prindon Sadriu, por që shefja e tij Donika Gërvalla nuk po e bën.

Advertisement
Advertisement
Advertisement