string(89) "u-aktivizuan-lojtare-nen-16-vjece-mitrovica-kerkon-fitore-ne-tavoline-dukagjini-ndihet-ok"

U aktivizuan lojtare nën 16-vjeçe, Mitrovica kërkon fitore në tavolinë, Dukagjini ndihet “ok”

Sport

Gazeta Express

01/04/2025 22:27

Dukagjini dhe Mitrovica po garojnë “me mish e me shpirt” për titull të kampionit të Kosovës në Superligën e vajzave.

Por, gara mes këtyre dy ekipeve nuk është “e zjarrtë” vetëm në fushën e blertë në këtë edicion.

Lexo Edhe:

Në fakt, “lufta” mes tyre është zhvendosur edhe jashtë fushës së blertë, shkruan “Gazeta Express”.

Klinaset i mposhtën mitrovicaset në javën që shkoi me rezultat 1:0, në derbin e ligës elitare të futbollit femëror.

Mirëpo, “Xehetaret” po shohin mundësi të tjera për ta fituar këtë lojë.

Mitrovicasit kanë dërguar ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, përmes së cilës kërkojnë fitore në tavolinë me arsyetimin se Dukagjini i aktivizoi tri lojtare nën 16-vjeçe, që, insistojnë mitrovicasit, nuk kishin të drejt loje.

Ata për fakt i janë referuar një vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për ndryshimin e një pike të rregullores, i cili ua ndalon paraqitjen me ekipin e parë lojtareve nën 16-vjeçe.

“Deri te ankesa ka ardhur nga aktivizimi i tri futbollistëve të lindura në vitin 2009 nga Dukagjini, pa i mbushur 16-vjeç. Kjo nuk lejohet pas ndryshimit të rregullores nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së më 8 gusht të vitit të kaluar: të kaluarën ka qenë nga mosha 17-vjeçare me leje speciale. Sipas rregullores së re nga FFK-ja nuk lejohet në asnjë formë aktivizimi i lojtareve nën moshën 16-vjeç. Dukagjini i ka regjistruar tri futbolliste nën moshën e lejuar në protokoll, njëra madje ka luajtur. Ne mendojmë se ka shkelje të rregullores dhe se kjo ndeshje duhet të regjistrohet 3:0 në të mirën tonë”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Hajrullah Haxhiu. 

Nga ana tjetër, klinasit janë të bindur se lojtaret në fjalë kishin të drejt loje.

“Është e vërtetë se i kemi aktivizuar tri lojtare nën moshën 16-vjeç, të triat kanë leje speciale. Vajzat në bazë të karakteristikave morfologjike dhe funksionals, pas kontrollimeve mjekësore, kanë të drejt loje me seniore. Të tri vajzat i kanë lejet speciale me afat 12-mujor”, ka thënë trajneri Arbër Bashota për “Express”. 

Sido që të vendosin Komisionet përkatëse, gara për titull të kampionit mes Dukagjinit dhe Mitrovicës tek vajzat pritet të jetë mjaft interesante deri në fund të sezonit./Gazeta Express

Siguria Superliga Femrat, Xhiro e 15-të. Përmbledhje nga ndeshja KFF Mitrovica 🆚 KFF Dukagjini

Posted by Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova on Tuesday, April 1, 2025