Hulk Dedja, 29-vjeç është shpallur në kërkim ditën e sotme pasi ka kanosur një person në Burrel dhe më pas është larguar.
Gjatë kontrollit në banesë atij policia ka gjetur 12 targa automjetesh, një fenelinë, një rrip multifunksional si ata të policisë dhe 1 krehër kallashnikovi.
I riu rezulton një person me precedentë të mëparshëm penal, pasi vite më parë ka tentuar të vriste për gjakmarrje, por la dy persona të plagosur.
Kush është Hulk Dedja?
Në vitin 2011, Hulk Dedja ka tentuar të vrasë dy persona në shenjë hakmarrje për vrasjen e të atit. I ati i tij, Halit Dedja u vra në vitin 2010 në Tiranë. Aso kohe, vetëm 18 vjeç, Hulk Dedja në shenjë hakmarrje për vrasjen e të atit ka tentuar të vrasë dy pjesëtarë të fisit Kolaj nga Burreli.
Ngjarja për të cilën akuzohet Dedja ka ndodhur në vendin e quajtur “Lagjja e Re”, në qendër të Burrelit. Dyshohet se mesditën e 5 majit 2011, Hulk Dedja ka qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Ismet Kola dhe nipi i tij Bashkim Dervishi.
Për pasojë Kola u plagos me dy plumba në bark, ndërsa Dervishi në shpatullën e djathtë. Mes fiseve Kolaj dhe Hulku ekziston një histori e gjatë hasmërie. Kolajt dyshohen të kenë ekzekutuar tre djem të familjes Dedja dhe babanë e tyre.
Nga ana e Kolajve është vrarë Haki Kola, babai i Ismet Kolës dhe dy vëllezërit e tij, Fiqiri e Medi Kola. Këta janë vrarë nga Halit Canameti, i cili gjithashtu është vrarë vite më vonë në pabesi në shtëpinë e një miku të tij.
Nga ana tjetër, Kolajt i kanë vrarë dy njerëz të afërt Canametit, në fisin Xhetani.
Viktima më e fundit e hakmarrjes ka qenë babai i Hulkut, Haliti, i cili në Tiranë njihej si Donald Dedja.
Ai u ekzekutua me armë zjarri më datën 16 dhjetor 2010, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë ish-uzinës “Enver” në Tiranë.
Dedja, në vitin 1997 punonte si oficer policie për hetimin e krimeve, por në atë kohë, i vranë vëllain. Pas disa vitesh atij i vrasin vëllain tjetër dhe babanë.