Manchester United raportohet se i ka vendosur çmimin Bruno Fernandesit, me një largim të mundshëm në janar që do të shërbente për të financuar dy afrime kyçe.
Fernandes, 31 vjeç, mbetet një nga lojtarët kryesorë të Unitedit, duke regjistruar katër gola dhe gjashtë asistime në 15 ndeshje të Premierligës këtë sezon, përfshirë dy gola në fitoren 4-1 ndaj Wolves më 8 dhjetor.
Dhe pavarësisht se është shumë i rëndësishëm për planet e Ruben Amorim, reprezentuesi i Portugalisë raportohet se mund të largohet nga klubi muajin e ardhshëm, me fondet e përfituara që pritet të përdoren për të firmosur dy mesfushorë nga Premierliga.
Sigurisht, Fernandes, i cili ka kontratë me Unitedin deri në vitin 2027, ka qenë më parë objekt interesi nga klubet e Saudi Pro League gjatë merkatos së verës, me 31-vjeçarin që raportohet se ka refuzuar oferta shumë të mëdha nga Al-Hilal dhe Al-Ittihad për t’u transferuar në Lindjen e Mesme, duke preferuar të qëndrojë në “Old Trafford”.
Një raport i “BBC Sport” në tetor pretendonte se lojtari “nuk ka asnjë interes për t’u transferuar në Arabinë Saudite në fund të sezonit”, megjithatë një raport i kundërt nga “Caught Offside” ka sugjeruar se priten oferta të reja nga Al-Hilal dhe Al-Ittihad, me Unitedin që e vlerëson Fernandesin rreth 70 milionë paund.
Një shitje me këtë çmim do të thoshte që Unitedi do të rikuperonte të gjitha 55 milionë paundët që pagoi për Fernandes kur ai u transferua nga Sporting CP në vitin 2020.
Këto fonde më pas raportohet se mund të përdoren për të firmosur mesfushorët e Nottingham Forest dhe Brighton, Elliot Anderson dhe Carlos Baleba, që në merkaton e janarit.
Sipas “The Telegraph”, Forest kërkon të paktën 100 milionë paund për reprezentuesin e Anglisë, Anderson, dhe nuk ka gjasa ta shesë atë në mes të sezonit. Baleba i Brighton gjithashtu pritet të kushtojë një shifër të ngjashme.
Një raport i fundit nga “ESPN” sugjeroi gjithashtu se klubi do të dëgjojë oferta për lojtarët jashtë planeve Kobbie Mainoo, Manuel Ugarte, Tyrell Malacia dhe Joshua Zirkzee, dhe se United është i interesuar të afrojë dy mesfushorë qendrorë.
Megjithatë, nga objektivat e United, vetëm Angelo Stiller i Stuttgartit ka gjasa të jetë si i përballueshëm financiarisht ashtu edhe i disponueshëm muajin e ardhshëm.
Duke folur për “BBC Sport” më herët këtë sezon, kapiteni i United theksoi se ndihet “mirë” te “Djajtë e Kuq” dhe se dëshiron të realizojë “ëndrrat” e tij me klubin.
“Nuk mund të flas në emër të klubit,” shpjegoi Fernandes.
“Kam parë shumë njerëz që flasin se unë tashmë kam një marrëveshje për t’u larguar sezonin e ardhshëm. Nëse klubi e ka bërë atë marrëveshje, ajo nuk është bërë me mua. Unë nuk kam folur me askënd. Edhe agjenti im e di se si funksionoj unë. Nëse ai do të flasë me mua, kjo do të jetë pas Kupës së Botës. Deri atëherë, nuk do të flas me askënd”, tha ai./GazetaExpress/