string(112) "ura-mbi-bune-merr-driten-e-gjelber-ne-mal-te-zi-nje-hap-larg-nga-realizimi-i-projektit-strategjik-velipoje-ulqin"

Ura mbi Bunë merr dritën e gjelbër në Mal të Zi: Një hap larg nga realizimi i projektit strategjik Velipojë-Ulqin

Lajme

Gazeta Express

31/03/2025 8:05

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Bunë, duke i hapur rrugën realizimit të një projekti të rëndësishëm infrastrukturor mes dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua më 27 shkurt 2023 në Podgoricë nga kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç dhe ishte ratifikuar më herët nga Kuvendi i Shqipërisë, duke hyrë në fuqi në qershor të vitit 2023.

Lexo Edhe:

Kjo urë, e gjatë 380 metra dhe e projektuar me tre harqe, do të shërbejë për kalimin e automjeteve, këmbësorëve dhe biçikletave, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet ndërkufitare mes Velipojës dhe Ulqinit. Projekti synon jo vetëm lehtësimin e lëvizjes, por edhe shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore të rajonit, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik.

Financimi i ndërtimit, me një kosto totale prej rreth 20 milionë euro, do të mbulohet në mënyrë të barabartë nga të dyja vendet, përfshirë kostot e ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera teknike. Studimi dhe hartimi i projektit u përgatit me fondet e palës shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).