Tre persona janë arrestuar nga policia në Durrës. Nga hetimet rezulton se një 49-vjeçare ofronte favore seksuale kundrejt pagesës dhe më pas në bashkëpunim me shtetasin 40-vjeçar kërcënuan një person me publikim të fotove intime. Gjatë arrestimit të 21-vjeçarit iu gjet një sasi lënde narkotike të ndarë në doza për shitje.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me mbështetjen e forcave operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last Threat”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit R. L., 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, A. H., 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës dhe A. H., 21 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja A. H. i ka ofruar favore seksuale, kundrejt pagesës, shtetasit F. Ç., në banesën e saj. Më pas, në bashkëpunim me shtetasin R. L., e kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. me mjet prerës (thikë), dhe i kanë marrë 65000 lekë të rinj.
Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasja A. H. ushtronte prostitucion dhe më pas shtetasi R. L. iu bënte foto intime klientëve, si dhe i kërcënonte për të paguar shuma të mëdha parash, me qëllim mospublikimin e fotove.
Operacioni ka nisur një javë më parë. Gjatë tij, fillimisht u vu në pranga shtetasja A. H. dhe gjatë ditës së djeshme u vu në pranga shtetasi R. L..
Po gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, pasi në momentin e kapjes së shtetasit R. L., ky shtetas ishte bashkë me të dhe gjatë kontrollit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.”, njofton policia.