Profesori nga Vushtrria nuk po bën kurrfarë krimi. Ai vetëm po vallëzon – në shtëpi të vet, për qejf të vetin. Ç’faj ka ai që sulmohet nga ujq në rrjetet sociale dhe jo vetëm, të etur për sulme e linçime? Nuk është e lehtë të vallëzosh mes ujqish.
Imer Mushkolaj
Deri para pak ditësh Lulzim Paci ka qenë një emër i panjohur për publikun e gjerë. Por, profesorin e biologjisë në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri tash e njohin thuajse të gjithë. Ai nuk ka mashtruar askënd, as ka vjedhur diçka, as ka bërë ndonjë krim tjetër. Thjesht, ai ka pasion vallëzimin dhe videot, teksa kërcen nën ritmet e muzikës folklorike, në shtëpinë e tij, i hedh në Tik Tok. Pra, pa i bërë keq askujt, pa e cenuar lirinë as integritetin e askujt, ai thjesht, privatisht, për qejfin e vet, vallëzon dhe publikon videot.
Por duket se kjo i ka penguar dikujt, që ka zgjedhur ta paragjykojë e gjykojë këtë veprim të profesorit. Hiç më pak se një deputete e Kuvendit të Kosovës, që ka fituar më shumë se dhjetë mijë vota, bëri thirrje që profesori të ndëshkohej shkaku i veprimeve ”të pahijshme dhe degjeneruese”. Fjolla Ujkani e Vetëvendosjes iu bëri thirrje drejtorit të gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri që të marrin masa sepse, sipas saj, veprimet e profesorit lënë të kuptojnë “që një profesor i tillë nuk mund të arsimojë dhe edukojë kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”. Statusi në Facebook i Ujkanit ishte plot gabime drejtshkrimore. Pra, si njëfarë “kujdestare për ruajtjen e moralit”, deputetja bëri thirrje publikisht që profesori të ndëshkohej.
Asaj nuk i interesoi fare nëse profesori ishte i rregullt në mësime dhe çfarë iu ligjëronte nxënësve, nuk i interesoi as nëse ai respektonte rregulloret përkatëse të shkollës ose sillej në mënyrë të duhur me nxënësit. Për deputeten mjaftoi që ai videot private duke vallëzuar po i hidhte në Tik Tok dhe automatikisht veprimet e tij ishin degjeneruese.
Nuk ka ndodhur veç njëherë në shoqërinë tonë që të bullizohen, sulmohen e linçohen ata që guxojnë të jenë vetja dhe që shprehin lirshëm atë çfarë mendojnë. Të sulmohen të pafajshmit, të dobëtit, të pambrojturit. Kështu ndodhi edhe me profesorin Paci. Lukunia e rrjeteve sociale u vërsul dhe brenda një kohe të shkurtër e sollën njeriun në gjendje të rëndë emocionale, madje e bënë të qajë publikisht, teksa rrëfente se çfarë po përjetonte. Pa pasur asnjë faj, pa bërë asnjë krim. “Fajtor” ishte vetëm se vallëzonte për qejf të vetin, pa e penguar askënd.
* * *
Nuk ka çfarë pritet tjetër nga një shoqëri që lartëson dallaverxhinj e mashtrues, hajna e kriminelë, një shoqëri që iu thur lavde të fortëve dhe shkel të dobëtit.
A nuk jemi ne ata që, ndonjëherë edhe pa e pasur të qartë se po bëjnë dëm, kemi bullizuar e linçuar plotë të tjerë ndër vite? A nuk jemi ne ata që dimë t’i mbushim rrjetet sociale me komente fyese, raciste e linçuese për të gjithë ata që nuk na pëlqejnë ose që mendojnë ndryshe nga ne?
A nuk jemi ne ata që e kemi bullizuar e përqeshur ndër vite një tjetër profesor nga Malisheva? A nuk jemi ata që jemi argëtuar me video të moshuarish që janë bërë virale në internet për mënyrën se si flasin e çfarë thonë? A nuk jemi ata që, si ujq të uritur, presim me padurim prenë e radhës për ta ironizuar, tallur e përqeshur? A nuk jemi ata që kur sulmohen e vriten gra i japim mbështetje sulmuesit e vrasësit duke komentuar ”mirë ia ka bërë, e ka merituar”? A nuk jemi ata që paragjykojmë të tjerët si duken, si vishen, çfarë përkatësie etnike, fetare e seksuale kanë? Këta jemi ne dhe kënaqemi me mjerimin tonë. Mbase në këtë mënyrë i shërojmë edhe komplekset tona.
* * *
Në një sqarim në Facebook, deputetja Fjolla Ujkani i kërkoi falje profesorit Paci, siç thotë, nëse reagimi i saj e paska lënduar atë. Ajo thotë se nëpërmjet reagimit të saj publik ka pasur për qëllim “mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve dhe, gjithsesi, ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës”. Pra, në këtë postim pa takt, deputetja na thotë se paska dashur t’i mbrojë nxënësit dhe shkollën nga vallëzimi i profesorit në shtëpinë e vet, për qejfin e vet. Me qasjen e saj të gabuar, deputetja vetëm sa është vënë krah “policisë morale” në rrjetet sociale, që është aty për të paragjykuar e gjykuar gjithçka që nuk i pëlqen. Për t’i denigruar e diskredituar të gjithë ata që guxojnë të dalin jashtë kornizave “morale” të shoqërisë. Të një shoqërie që nuk i meriton të tillët si profesori – njerëz pa komplekse dhe që nuk i bëjnë keq askujt. Të një shoqërie që i shkel të dobëtit. Të një shoqërie për marre.