Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten në gjykimin ndaj Ilir Abdullahut, i cili akuzohet se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, vranë ish-policin Triumf Riza, u dëgjua dëshmitari Visar Riza- vëllai i tani të ndjerit Triumf, i cili tha se dy të akuzuarit Abdullahu kanë qenë vazhdimisht në përcjellje të vëllait dhe familjes së tij.
“Këta dy të akuzuarit këtu kanë qenë nonstop në përcjellje të vëllait tim dhe familjes time”, tha Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri pasi u pyet nga prokurorja e rastit Arbëresha Raça-Shala lidhur me lidhshmërinë e të pandehurve me rastin.
Riza tha se edhe vetë ai disa herë kishte qenë prezent dhe se përcjellja sipas tij ishte bërë me vetura të ndryshme dhe skutera.
“Edhe vetë kam qenë prezent kur na kanë përcjellë shumë herë, na kanë përcjellë me makina, skutera, përcjelljen e kemi pas ditore”, tha ndër të tjera dëshmitari Riza.
Ai tregoi edhe për ditën kritike kur kishte kuptuar lidhur me vrasjene vëllait Triumfit, duke theksuar se pak kohë pasi ishte ndarë nga ai, e kishin telefonuar se ishte plagosur Triumfi.
“Më kanë thirrë dhe më kanë thanë e kanë plagos Triumfin, unë prej aty e kam marrë një taksi dhe kam shku direkt në QKUK. Kur kam mbërri aty, ai veç kish pas ndërru jetë”, tha dëshmitari.
Kur kishte arritur në Emergjencë, ai tha se mjekët ishin duke ia larguar aparaturat tani të ndjerit.
“Kam hy brenda, ai ka qenë i shtrirë dhe veç ishin kanë tu ia heq aparaturën nga trupi”, tha Riza.
Një ditë më parë, më 23 prill dëshmoi babai i Triumfit- Shefqet Riza, i cili po ashtu tha se të akuzuarit kanë përcjellë tani të ndjerin dhe familjen e tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.
Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.
Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.
Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.
Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.
Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.
Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...